Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, pretendon se një person i dyshuar për spiunazh punoi rreth dy vjet me qasje në dokumente sekrete të Presidencës dhe u fotografua me agjentë të inteligjencës serbe.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka ngritur alarmin për dobësi serioze në mbrojtjen e informacioneve të ndjeshme brenda institucioneve më të larta të shtetit. Sipas tij, një person i dyshuar për spiunazh, që kishte punuar në Presidencë dhe në Kryeministri, kishte pasur qasje në dokumente sekrete për rreth dy vjet.
"Dy vite ka punuar. Ai ka pasë qasje edhe në dokumente sekrete atje, në Presidencë. Ai ka mundur të hyjë prej zyre në zyrë dhe të ketë qasje. Ai ishte fotografuar edhe me agjentët e BIA-s", tha Kastrati në emisionin Five të Dukagjinit, duke iu referuar agjencisë serbe të inteligjencës.
Kastrati theksoi se pasojat e një qasjeje të tillë janë të vështira për t'u matur. "S'mund të di çka do të thotë kjo, që nëpërmjet veprimeve të tij ai ka zbuluar shumëçka, prej dokumenteve, prej qasjes të politikës sonë, prej koncepteve e strategjisë së punës në Presidencë. Çdo gjë ai ka pasur qasje", u shpreh ai.
Duke folur për rastet e dyshuara të spiunazhit në Kosovë, ish-komandanti i FSK-së kërkoi që zyrtarët dhe punonjësit në institucionet me rëndësi të veçantë të pajisen me certifikata të sigurisë në nivelin më të lartë. "Unë kam qenë vetë drejtues i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe çdo oficer, çdo punonjës që punon në Presidencë, në Kryeministri, në vendet që janë me rëndësi të veçantë të shtetit, duhet ta kenë certifikatën e sigurisë", tha ai.
Sipas Kastratit, problemi nuk kufizohet te një rast i vetëm. Ai pretendoi se, mbi bazën e informacioneve që thotë se i ka marrë nga burime të ndryshme, persona të dyshuar për spiunazh mund të gjenden në nivele të ndryshme të institucioneve. "Fatkeqësisht, sipas mendimit tim, spiun ka në të gjitha nivelet, prej nivelit politik, nivelit më të lartë shtetëror, nivelit operativ të mesëm dhe nivelit taktik", tha ai.
Ai përgëzoi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) për arrestimet dhe kërkoi që hetimet të zgjerohen drejt rrjeteve të mundshme. "Pasi i kanë kapur ata, duhet t'i zbulojnë se me kë kanë pasur kontakte dhe kush janë ata spiunë që janë duke punuar", theksoi ai.
Kastrati bëri gjithashtu thirrje për më shumë burime dhe pavarësi për shërbimet e sigurisë. "Duhet të kenë financim më shumë, duhet të kenë mbështetje më shumë dhe duhet të kenë njerëz e profesionistë që ata të mos preken nga politika. Duhet t'u jepen duart e lira që të punojnë", tha ai, duke përmbyllur me një qëndrim të prerë për ndarjen e sigurisë nga ndikimet politike: "Larg duhet të jetë politika nga uniforma".
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

