Një qytetar në Pejë besoi se do të merrte një veshkë të re në një spital turk. Sipas prokurorisë, në vend të operacionit e priste një mashtrim prej mbi 134 mijë eurosh.

Shpresa për një transplantim veshke u shndërrua, sipas akuzës, në një grackë financiare prej 134 mijë e 761 eurosh. Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të identifikuar me inicialet V.H. dhe A.K., nën dyshimin për veprën penale të mashtrimit.
Sipas aktakuzës, ngjarja është zhvilluar në periudhën nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lubeniq të Komunës së Pejës.
Prokuroria dyshon se i pandehuri V.H. u paraqit në mënyrë të rreme si mjek në specializim në një spital në Turqi, duke i premtuar një qytetari se do t'i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës. Për realizimin e pretenduar të kësaj procedure, sipas prokurorisë, ai ka kërkuar dhe ka pranuar nga i dëmtuari shuma të ndryshme parash, gjoja për shpenzime spitalore dhe procedura që lidhen me transplantimin.
Për ta bindur të dëmtuarin se operacioni do të realizohej, thuhet në aktakuzë se V.H. përdori në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi. Nga këto veprime, sipas prokurorisë, të dëmtuarit iu shkaktua dëm material në vlerë prej 134.761 eurosh.
Në të njëjtin rast akuzohet edhe A.K., i cili dyshohet se ndihmoi në realizimin e mashtrimit. Sipas aktakuzës, ai e njoftoi të dëmtuarin me V.H.-në, duke e paraqitur këtë të fundit si mjek në Turqi dhe duke krijuar te viktima besimin se ai kishte kompetencën dhe mundësinë për të organizuar transplantimin.
Në skemë figuron edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ishte paraqitur si dhurues i veshkës. Për të, prokuroria ka bërë veçimin e procedurës penale.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën akuzohen, ndërsa prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që V.H. dhe A.K. të shpallen fajtorë e të dënohen sipas ligjit.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

