Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se vendimet gjyqësore — kryesisht të lidhura me kontratën kolektive — u kanë marrë komunave mbi 380 milionë euro që nga viti 2020, ndërsa mbi 100 milionë prej tyre kanë përfunduar te përmbaruesit dhe avokatët.

Komunat e Kosovës po humbasin dhjetëra miliona euro nga vendimet gjyqësore, para që sipas Asociacionit të Komunave duhej të kishin shkuar në rrugë, shkolla dhe projekte të tjera kapitale.
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se pjesa më e madhe e këtyre humbjeve lidhet me kontratën kolektive dhe me proceset përmbarimore që rëndojnë buxhetet komunale. Sipas tij, shumë projekte kapitale as që po arrijnë të nisin për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Vetëm gjatë këtij viti, sipas Ibrahimit, komunave u janë marrë mbi 90 milionë euro nga vendimet gjyqësore. Ai shpjegoi se kontrata kolektive ka ndikuar si drejtpërdrejt, ashtu edhe në mënyrë indirekte, në tkurrjen e buxheteve.
"Vetëm këtë vit janë mbi 90 milionë euro nga vendimet gjyqësore, aty përfshihen edhe mjete të marra për shkak të kontratës kolektive. Kontrata Kolektive ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë indirekte. Indirekte është për shkak se nëse një komune i janë marrë mjetet për shkak të kontratës kolektive, në anën tjetër po ajo komunë ka pasur të nënshkruar kontratë me një operator ekonomik, dhe përmbaruesi ka marrë mjetet nga ajo vijë buxhetore, ku më pas operatori ekonomik është ankuar në gjykatë dhe ka fituar rastin. Tani përveçse ka fituar rastin operatori ekonomik dhe i ka marrë mjetet e veta, aty hyn tani edhe përqindja që marrin përmbaruesit dhe avokatët, e kështu buxheti i komunave po dëmtohet rëndë", tha Ibrahimi.
Sipas të dhënave që ai prezantoi, shifra totale që u është marrë komunave nga proceset gjyqësore që nga viti 2020 kalon 380 milionë euro, ku shumica lidhen me kontratën kolektive. Ibrahimi theksoi se ky problem prek të gjitha komunat, pavarësisht se cila parti i udhëheq.
"Janë mbi 380 milionë euro që u janë marrë komunave që nga viti 2020 nga vendimet gjyqësore, ku shumica janë për shkak të kontratës kolektive. Këtu hyjnë të gjitha komunat në vend, pavarësisht se prej cilës parti politike udhëhiqen. Mbi 100 milionë euro nga këto 380 milionë euro kanë shkuar në xhepat e përmbaruesve, avokatëve dhe procedurave gjyqësore. Çfarë t'i thuash tjetër kësaj përveç gjakderdhje e pastër financiare? Këtu diçka është e organizuar", deklaroi Ibrahimi në emisionin EURO n'T7.
Sipas tij, këto mjete kishin si destinacion investimet kapitale, mallrat dhe shërbimet nëpër komuna — para që tani po devijohen drejt shpenzimeve gjyqësore.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

