Dy herë i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, Jeton Vllasaliu i kërkoi Gjykatës Supreme ta rrëzojë vendimin. Rasti ndaj tij dhe Nexhat Vllasaliut ka mbërritur në instancën më të lartë gjyqësore të Kosovës.

"E mbështes fjalën e avokatit dhe e kundërshtoj aktgjykimin e shkallës së parë." Me këto fjalë Jeton Vllasaliu, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, u paraqit të enjten para Gjykatës Supreme, ku po shqyrtohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ndaj tij dhe Nexhat Vllasaliut.
Çështja ka arritur në Supreme pasi dy gjykatat e shkallëve më të ulëta kanë vendosur njësoj. Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e 28 majit 2025, i dënoi të dy Vllasaliujt me burgim të përjetshëm për vrasjen e Rexhepit, ndërsa Gjykata e Apelit e vërtetoi më pas këtë vendim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, vrasja ndodhi në vitin 2021 dhe motivi ishte përfitimi pasuror. Prokuroria pretendon se nga 9 janari deri më 8 prill 2021, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake, kishin nisur planifikimin për t'i marrë jetën Rexhepit.
Të dy janë ngarkuar me veprën penale "Vrasje e rëndë", sipas nenit 173, paragrafët 1.6 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktakuza i ngarkon po ashtu me veprën penale "Dëmtim i varreve apo kufomave", sipas nenit 413, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është mjeti i jashtëzakonshëm juridik përmes të cilit mbrojtja synon të rrëzojë vendimet e mëparshme. Nuk dihet ende se si do të vendosë Gjykata Supreme.
Gruaja që ka qenë prokurore në dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani drejton Prokurorinë Themelore të Pejës. Vëllai i viktimës thotë se emërimi ia thellon mosbesimin ndaj drejtësisë, ndërsa rasti i motrës, sipas tij, pret epilog prej 11 vjetësh.

