Gjykata në Hagë ka hedhur poshtë edhe një herë kërkesën për transferimin e Ratko Mladiçit në Serbi, ndërsa i biri thotë se ish-komandanti serb, i dënuar me burgim të përjetshëm, ndodhet "në fazën e fundit të jetës".

Gjykata në Hagë ka refuzuar sërish, të njëjtën ditë, kërkesën për lirimin e Ratko Mladiçit dhe transferimin e tij në Serbi. Mladiçi, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës Sërpska, është dënuar në formë të prerë me burgim të përjetshëm, ndër të tjera për gjenocidin në Srebrenicë.
Vendimin e konfirmoi për Radiotelevizionin e Republikës Sërpska (RTRS) nga Banjalluka i biri, Darko Mladiç. "Kur e përfunduam vizitën, morëm vesh se gjykata e kishte refuzuar kërkesën tonë për lirimin e gjeneralit në Serbi, me arsyetimin cinik se nuk kishim provuar që në Serbi do të kishte kujdes shëndetësor më të mirë", tha Darko Mladiç. Sipas tij, gjendja shëndetësore e babait mbetet e pandryshuar.
Darko Mladiç bëri të ditur se ai dhe pjesëtarë të familjes po kthehen në Serbi për detyrime administrative, por se do të kthehen sërish në Hagë të hënën, nëse babai i tij deri atëherë do të jetë ende gjallë. RTRS vazhdon ta cilësojë Mladiçin me titullin "gjeneral", pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatës ndërkombëtare.
Ky nuk është refuzimi i parë. Në fillim të gushtit, gjykata kishte rrëzuar po ashtu një kërkesë për lirimin e tij. "Ratko Mladiçi ndodhet në fazën e fundit të jetës", ishte njoftuar atëherë nga Gjykata në Hagë.
Ditët e fundit, kërkesën për lirimin e Mladiçit e ka mbështetur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se nuk e kupton "pse nuk duan ta bëjnë këtë".
Mladiçi u dënua në formë të prerë në qershor të vitit 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it. Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale ka refuzuar edhe më parë disa kërkesa për lirimin e tij të parakohshëm për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Si arsyetim është dhënë fakti se nuk ekziston asnjë trajtim shtesë mjekësor që Mladiçi mund ta kishte diku tjetër dhe që nuk e ka tashmë në Holandë.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

