Një ngastër prej 68 ari në zonën e fakulteteve teknike në Prishtinë nuk mund të shitet, të bartet as të ngarkohet me barrë. Gjykata Themelore vendosi masën e sigurisë me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa Universiteti i Prishtinës thotë se prej vitesh po përballet me pretendime private dhe kërkesa qiraje në vlera milionëshe.

Një ngastër prej 68 ari në zemër të zonës së fakulteteve teknike në Prishtinë ka mbetur e bllokuar juridikisht. Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi këtë pronë komunale, që është në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës. Vendimi është marrë më 24 gusht 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Sipas Universitetit të Prishtinës, masa ndalon çdo veprim që mund të çojë në shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike apo tjetërsimin e pronës në çfarëdo forme tjetër. Universiteti e ka cilësuar vendimin si të rëndësishëm për mbrojtjen e pronës universitare dhe të interesit publik.
Pas ngastrës qëndron një kontest i vjetër. Sipas universitetit, për vite me radhë mbi këtë pronë janë ngritur pretendime nga persona privatë, ndërsa ndaj UP-së janë paraqitur edhe kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për hapësirën që universiteti thotë se e ka shfrytëzuar në mënyrë legjitime për veprimtarinë akademike dhe institucionale.
Pretendimet për pronësinë lidhen me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, të 27 majit 1998, përmes të cilit pretendohet se prona komunale kishte kaluar në pronësi private dhe më pas ishte bartur te persona të tjerë. Emrat e personave privatë që pretendojnë pronën nuk janë bërë publikë.
Çështja kishte kaluar edhe nëpër Kuvendin e Kosovës. Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim e kishte trajtuar rastin dhe, sipas UP-së, në raportin e 14 majit 2024 kishte evidentuar probleme dhe dyshime lidhur me dokumentacionin dhe historikun e pronës, duke kërkuar që çështja të trajtohej nga organet kompetente të drejtësisë. Universiteti ka falënderuar ish-Komisionin Parlamentar, ish-deputeten Fitore Pacolli dhe Milazim Salijajn për angazhimin, si dhe organet e drejtësisë dhe të hetuesisë për trajtimin e rastit.
Në njoftimin e lëshuar të shtunën, më 5 shtator 2026, universiteti ka shkuar një hap më tej dhe ka vendosur një afat publik: "Universiteti i Prishtinës u bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që mbajnë, shfrytëzojnë apo pretendojnë, pa bazë të qartë juridike, hapësira dhe prona të Universitetit që, deri më 30 tetor 2026, t’i lirojnë dhe t’ia kthejnë ato Universitetit".
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

