Në një kontroll të përbashkët të policisë me Agjencinë e Pyjeve dhe Inspektoratin e Pyjeve, gjashtë traktorë me rimorkio që transportonin masë drusore pa dokumentacion u ndaluan në tregun javor të fshatit Dardani. Ngarkesa u konfiskua dhe u dërgua për matje në Ferizaj.

Tregu javor i fshatit Dardani në Ferizaj u kthye të dielën në vendin e një kontrolli të përbashkët kundër prerjeve të paligjshme të pyjeve. Gjashtë mjete bujqësore, traktorë me rimorkio, u identifikuan duke transportuar masë drusore pa dokumentacionin përkatës.
Aksioni nisi më 23 gusht 2026, nga ora 08:00, kur zyrtarët policorë të stacionit policor në Ferizaj asistuan zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe të Inspektoratit të Pyjeve në kuadër të aktivitetit të përbashkët të quajtur "Patrullim dhe kontroll i përbashkët mobil APK-Polici-Inspektorati i Pyjeve".
Me asistimin dhe përcjelljen e zyrtarëve policorë, mjetet u dërguan në Agjencinë e Pyjeve në Ferizaj, ku u bë matja dhe pranimi i masës drusore të konfiskuar. Për procedurat e mëtejshme janë angazhuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pyjeve, të cilët kanë përpiluar procesverbalet përkatëse të inspektimit lidhur me ngarkesat e sekuestruara.
Policia Rajonale e Ferizajt theksoi se mbetet e përkushtuar në ofrimin e asistencës dhe bashkëpunimit me institucionet kompetente, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprimtarive të kundërligjshme, përfshirë keqpërdorimin dhe prerjen e paligjshme të pyjeve.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

