Që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, karburanti është shtrenjtuar në së paku 145 shtete. Në SHBA, 50 dollarë benzinë sot të çojnë 183 kilometra më pak se para luftës.

Gjashtë muaj pas nisjes së sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, fatura e luftës po paguhet edhe në pompat e karburantit. Në së paku 145 vende të botës çmimi i benzinës është rritur, duke rënduar buxhetet e konsumatorëve nga Azia Juglindore deri në Amerikën Latine.
Llogaritjet mbështeten në të dhënat e GlobalPetrolPrices, që ndjek çmimet e karburanteve në 170 vende dhe territore. Rritja më e madhe është regjistruar në Mianmar: 56 për qind, nga 0,77 dollarë për litër benzinë me 95 oktanë më 23 shkurt, në 1,20 dollarë më 17 gusht. Pas saj vjen Butani me 55 për qind, Kuba me 51 për qind, Emiratet e Bashkuara Arabe me 50 për qind dhe Nigeria me 48 për qind.
Përjashtim bëjnë 25 vende të tjera, kryesisht prodhuese nafte me subvencione të larta për karburantin, ku çmimet ose nuk kanë lëvizur, ose kanë rënë me shifra njëshifrore.
Efekti duket qartë edhe në tregun amerikan. Para luftës, mesatarja kombëtare për një gallon benzinë të rregullt ishte 2,94 dollarë; sot kushton 4,09 dollarë, pra 39 për qind më shumë, sipas AAA Fuel Prices, që ndjek çmimet me pakicë të karburanteve për Shoqatën Amerikane të Automobilistëve. Një gallon është i barazvlefshëm me 3,78 litra.
Përkthyer në kilometra, shtrenjtimi bëhet i prekshëm: para luftës, 50 dollarë karburant çonin një veturë familjare rreth 718 kilometra (446 milje). Sot e njëjta shumë mjafton për rreth 536 kilometra (333 milje), pra 183 kilometra më pak, një rënie prej 25 për qind e distancës që mund të përshkohet.
Nafta nuk mbetet te pompa. Çmimet e naftës dhe ato të ushqimit lëvizin paralelisht, sepse energjia prek çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, nga plehrat kimike që përdoren në ara e deri te kamionët që transportojnë ushqimin drejt rafteve të supermarketeve. Rritja e çmimit të naftës godet drejtpërdrejt edhe transportin detar dhe koston e transportit në përgjithësi.
"Gjaku i ekonomisë globale është transporti", i tha Al Jazeerës ekonomisti David McWilliams. "Është çështje e lëvizjes së mallrave nga pika A në pikën B, është një problem logjistik, një problem i zinxhirit të furnizimit dhe, në fund të fundit, transporti është energjia e ekonomisë globale."
Rreziku më i madh është në vendet me të ardhura të ulëta, ku popullsia shpenzon një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave për ushqim dhe ku importohen sasi të mëdha drithi e plehrash kimike. Aty, rritja e çmimit të naftës mund të kthehet shpejt në mungesa ushqimore.
Nafta dhe gazi janë gjithashtu lëndë e parë për mijëra produkte të përditshme. Nga nafta e papërpunuar prodhohen plastikat, përfshirë shishet e ujit, paketimet e ushqimit, mbështjellësit e telefonave dhe shiringat mjekësore. E njëjta lëndë fshihet edhe pas pëlhurave sintetike si polyesteri, najloni dhe akriliku, që përdoren nga veshjet sportive te tapetet, si dhe pas industrisë së kozmetikës, ku shërben për prodhimin e vazelinës, buzëkuqëve dhe korrektorëve. Detergjentët e rrobave, lëngjet e enëve dhe bojërat rrjedhin po ashtu nga produktet e naftës.
Ndërkohë, furnizimi global me ushqim mbështetet në thelb te gazi natyror në formën e plehrave kimike, që përdoren për të rritur rendimentet bujqësore dhe për ta mbajtur prodhimin ushqimor në nivelin e kërkesës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

