Një zjarr i madh fushor, i nisur nga djegia e hamulloreve, kërcënoi disa shtëpi pranë Varrezave të Qytetit në Prishtinë, para se zjarrfikësit ta lokalizonin.

Një zjarr i madh fushor përfshiu pasditen e sotme një sipërfaqe të konsiderueshme në afërsi të Varrezave të Qytetit në Prishtinë, duke rrezikuar disa shtëpi në zonën përreth para se ndërhyrja e zjarrfikësve ta vinte nën kontroll.
Sipas Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Komunës së Prishtinës, zjarri u shkaktua nga djegia e hamulloreve. Flakët shkaktuan dëme materiale në parcela bujqësore, pemishte dhe objekte përcjellëse, ndërsa u përhapën në drejtim të zonës së banuar.
"Sot pasdite, në afërsi të Varrezave të Qytetit, si pasojë e djegies së hamulloreve, është përhapur një zjarr i madh fushor, i cili ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe ka rrezikuar seriozisht disa shtëpi në zonën përreth", njoftoi Drejtoria.
Përhapja e mëtejshme drejt shtëpive të banimit u parandalua falë reagimit të shpejtë të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, e cila lokalizoi vatrën. "Falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes profesionale të Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e mëtejshme drejt shtëpive të banimit", theksoi Drejtoria, duke shprehur "mirënjohje dhe falënderim për zjarrfikësit tanë".
Drejtoria u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndezin hamullore, barishte apo mbetje në hapësira të hapura. "Në kushtet aktuale, një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe të rrezikojë drejtpërdrejt jetën dhe pronën e qytetarëve", paralajmëroi ajo.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

