Pas dy sulmeve të raportuara ndaj personelit shëndetësor në Komunën e Vitisë, punëtorët e QKMF-së kanë dalë të martën në protestë, duke kërkuar më shumë siguri në vendin e punës.

Dy raste sulmesh ndaj punëtorëve shëndetësorë brenda vetëm pak javësh kanë nxjerrë personelin mjekësor të Vitisë në rrugë. Të martën, punëtorët shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti mbajtën një protestë, duke kërkuar rritjen e masave të sigurisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Shkas i drejtpërdrejtë ishte rasti i fundit, në të cilin një mjek dyshohet se është sulmuar fizikisht derisa ishte në kujdestari në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan. Ky është rasti i dytë i raportuar brenda një periudhe të shkurtër në këtë komunë. Më herët ishte raportuar edhe një sulm ndaj një infermiereje në QKMF-në e Vitisë.
Përmes protestës, punëtorët i kërkuan institucioneve përgjegjëse rritjen e masave të sigurisë dhe mbrojtje më të madhe për personelin në vendet e punës. Ata shprehën shqetësimin se raste të tilla po krijojnë pasiguri te stafi, i cili gjatë punës së përditshme është në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët dhe qytetarët.
Punëtorët kërkuan masa konkrete për rritjen e sigurisë në objektet shëndetësore dhe për parandalimin e rasteve të ngjashme. Sulmet e njëpasnjëshme kanë rikthyer në vëmendje çështjen e mbrojtjes së mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësorë gjatë kryerjes së detyrës.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

