Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prishtinë vazhdoi gjykimi për përleshjen e armatosur të 1 shtatorit 2024 në lagjen Aktash, ku u vra Premtim Gashi. Një dëshmitar përshkroi momentin kur, sipas tij, dy persona të maskuar shtinë brenda lokalit.

Dy burra me fytyra të mbuluara, me armë të gjata në duar, kaluan rrugën dhe hynë në lokalin "From". Kështu e përshkroi një dëshmitar momentin qendror të natës së 1 shtatorit 2024 në lagjen Aktash të Prishtinës, gjatë seancës së radhës së gjykimit për rastin e njohur si "Capat-Sekiraqët".
"Kanë kaluar rrugën dy persona të maskuar, kanë pasur në duar armë të gjata dhe kanë hyrë në lokalin 'From'. Kanë shtënë në drejtim të Salih Sekiraqës", deklaroi dëshmitari, identiteti i të cilit nuk u bë publik.
Sipas rrëfimit të tij, pas të shtënave e pa Salih Sekiraqën të shtrirë përtokë, me një armë rreth gjysmë metri larg tij. "Salih Sekiraqa ka qenë i shtrirë, armën e ka pasur rreth gjysmë metri larg dhe më tha: 'Pshtum'", dëshmoi ai.
Seanca u mbajt nën masa të shtuara sigurie në Pallatin e Drejtësisë. Të akuzuarit që njihen si pjesëtarë të dy grupeve u sollën në sallë dhe u vendosën në anë të kundërta, përballë trupit gjykues.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, konflikti dyshohet se kishte nisur brenda dhe para lokalit "From", ndërsa përleshja me armë ishte zhvendosur më pas në rrugën "Gazmend Zajmi". Në përfundim, Premtim Gashi mbeti i vrarë, ndërsa në mesin e të plagosurve ishin edhe Korab Gashi, Salih Sekiraqa, Robert Llumnica dhe Fatos Abazi.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës, Fatos Abazit, Erd Marevcit, Endrit Llapashticës, Dardan Marevcit dhe Vesel Bunjakut. Ata ngarkohen me vepra penale që lidhen me vrasjen e rëndë, armëmbajtjen pa leje dhe manipulimin me prova.
Për Endrit Llapashticën dhe Dardan Marevcin, të cilët nuk ishin të arritshëm për organet e drejtësisë, gjykata vendosi që procesi të zhvillohet në mungesë. Vesel Bunjaku është dënuar veçmas me shtatë muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, pasi pranoi fajësinë për manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.
Çështja shqyrtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, para trupit gjykues të përbërë nga Festime Dermaku, Sulltane Hoti dhe Ertan Sejfulla. Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

