Marrëveshja Kosovë-Danimarkë ka nisur të zbatohet, por të burgosurit danezë nuk do të mbërrijnë në Gjilan para vitit 2027. Ministria e Drejtësisë thotë se ende duhen infrastruktura, staf profesional dhe garanci për të drejtat e njeriut.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Kosova ka edhe rreth dy vjet kohë për t'u përgatitur. Transferimi i 300 të burgosurve nga Danimarka në Gjilan pritet të nisë në vitin 2027, edhe pse marrëveshja mes dy vendeve është në fuqi që nga qershori i vitit 2024.
Afati u bë i ditur në Prishtinë, në konferencën ndërkombëtare "Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe çështjet operacionale". Organizatore e takimit është Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se zbatimi i marrëveshjes tashmë ka filluar. Megjithatë, të burgosurit danezë do të vendosen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan vetëm pas dy vitesh.
"Jemi përballë një realiteti të ri. Kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashikohet që 300 të burgosur të transferohen nga Danimarka në burgun e Gjilanit. Pra, Kosova do të shërbejë si vend i cili do t'i strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Gjithashtu, kjo marrëveshje ka filluar së zbatuari, mirëpo transferimi i të burgosurve pritet të fillojë në vitin 2027", tha Rushiti.
Sipas saj, të burgosurit e transferuar do të jenë nën administrimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Nga ana e qeverisë, zëvendësministri i parë i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se vënia në funksion e një institucioni korrektues nuk mjafton. Ai përmendi infrastrukturën dhe stafin profesional si parakushte. Nimoni kujtoi gjithashtu se Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen.
"Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve daneze është një angazhim dhe përkushtim i vazhdueshëm i të dy vendeve tona, dhe ratifikimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ka krijuar bazën për bashkëpunim. Tashmë, zbatimi i saj nuk është thjesht çështje e vënies në funksion të një institucioni korrektues, është një proces që kërkon përgatitjen e infrastrukturës, staf profesional, organizim të mirëfilltë dhe, mbi të gjitha, të drejtat e njeriut do të respektohen", deklaroi Nimoni.
Konferenca po trajton sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe çështjet operacionale që lidhen me zbatimin e marrëveshjes. Sipas Rushitit, në diskutim janë edhe përgjegjësitë institucionale dhe përgatitjet që duhen bërë. Fokusi kryesor është garantimi i të drejtave dhe trajtimi dinjitoz i të burgosurve që do të sillen në Kosovë.
Gruaja që ka qenë prokurore në dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani drejton Prokurorinë Themelore të Pejës. Vëllai i viktimës thotë se emërimi ia thellon mosbesimin ndaj drejtësisë, ndërsa rasti i motrës, sipas tij, pret epilog prej 11 vjetësh.

