Lista e të akuzuarve për sulmin e armatosur në Banjskë zgjatet. Prokuroria Speciale ka çuar në gjykatë një aktakuzë të re ndaj të pandehurit S.R., i cili dyshohet se ishte pjesë e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023.

Një tjetër i pandehur për sulmin në Banjskë përballet me akuzën për terrorizëm. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj S.R. për veprat penale "Kryerja e veprës terroriste" dhe "Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës".
Sipas aktakuzës, S.R. dyshohet se më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, mori pjesë bashkë me të pandehurit e tjerë në sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, si pjesë e një grupi terrorist të strukturuar dhe të armatosur rëndë. Ai sulm la të vrarë një rreshter të Policisë së Kosovës, ndërsa një zyrtar tjetër policor u plagos dhe disa të tjerë u lënduan.
Prokuroria pretendon se synimi i grupit ishte destabilizimi i strukturave themelore kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe shkëputja e pjesës veriore të territorit të saj, për t'ia bashkuar atë Republikës së Serbisë.
Aktakuza e re është vazhdim i procedurës penale në rastin "Banjska", në të cilin Prokuroria Speciale më 11 shtator 2024 kishte akuzuar 45 të pandehur. Ndaj S.R. është në fuqi masa e paraburgimit, ndërsa akuzat kundër tij mbeten pretendime të prokurorisë derisa gjykata të vendosë për to.

