Raportimet që Arlinda Zekaj kishte bërë në polici para se të vritej janë tani nën lupë. Inspektorati Policor i Kosovës, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, do të verifikojë çdo hap të zyrtarëve policorë, përfshirë edhe atë që mund të mos jetë bërë.

Çfarë bëri policia me raportimet e Arlinda Zekajt, dhe çfarë nuk bëri? Kjo është pyetja që tani e ka marrë përsipër Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi të gjitha rastet e raportuara nga e ndjera.
Veprimet ndërmerren në kuadër të mandatit dhe kompetencave ligjore të Inspektoratit dhe, sipas IPK-së, kanë marrë dritën jeshile nga prokuroria. Në njoftimin e tij, Inspektorati thekson se "këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj".
Hetimi do të shkojë raportim pas raportimi. "Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim, si dhe veprimet e ndërmarra apo eventualisht të mos ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës", thuhet në njoftim. Me fjalë të tjera, nën shqyrtim nuk do të jenë vetëm hapat që policia ndërmori, por edhe ato që mund t'i ketë lënë pa i bërë.
Prej këtej mund të dalin edhe përgjegjësi konkrete. "Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale, nëse konstatohen shkelje apo lëshime gjatë trajtimit të rasteve të raportuara", ka deklaruar IPK.
Inspektorati ka bërë të ditur se çështjen do ta trajtojë në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke premtuar një proces profesional, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës. Verifikimi i hapur tani synon të sqarojë nëse raportimet e saj u trajtuan në përputhje me detyrimet ligjore të Policisë së Kosovës. Deri tani, IPK nuk ka bërë të ditur të ketë konstatuar ndonjë shkelje apo lëshim nga zyrtarët policorë.

