Informacione për pjesëtarë të UÇK-së, për vrasjet e luftës dhe për shqiptarët në Siri, të shitura shërbimit sekret serb për deri në 700 euro në muaj. Gjykata e Apelit e Kosovës la në fuqi dënimin me gjashtë vjet burgim efektiv ndaj H.S.

Dënimi me gjashtë vjet burgim efektiv për spiunazh në dobi të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) mbetet i pandryshuar. Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar vendimin ndaj H.S., duke i hedhur poshtë si të pabazuara si ankesën e Prokurorisë Speciale, ashtu edhe atë të mbrojtjes.
Dy palët kishin kërkuar gjëra krejt të kundërta. Prokuroria Speciale synonte një dënim më të rëndë, ndërsa mbrojtja kërkonte lirimin e të dënuarit ose kthimin e çështjes në rigjykim. Në aktgjykimin e datës 7 tetor 2026, Departamenti Special i Apelit konstatoi se gjykata e shkallës së parë e kishte vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe se nuk kishte shkelje procedurale që do ta bënin të nevojshëm anulimin e vendimit.
Sipas aktgjykimit, provat kanë vërtetuar se H.S. bashkëpunonte me BIA-n dhe i përcillte asaj informacione për aktivitetet e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për vrasjet e ndodhura gjatë luftës dhe për persona të radikalizuar, përfshirë pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën në Siri.
Ky bashkëpunim kishte edhe çmimin e vet. Gjykata konstaton se ai paguhej deri në 700 euro në muaj dhe ishte pajisur me telefona për të komunikuar me zyrtarët e shërbimit sekret serb.
Mbrojtja kishte pretenduar se i dënuari vepronte në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Apeli e rrëzoi edhe këtë argument, me arsyetimin se në shkresat e lëndës nuk ka asnjë provë që dëshmon rekrutimin e tij nga AKI-ja.
Në matjen e dënimit, gjykata mori parasysh kohëzgjatjen e bashkëpunimit me BIA-n, pagesat e pranuara dhe udhëtimin në Siri. Si rrethanë lehtësuese iu njoh kontributi që ai dha në zbardhjen e çështjes përmes deklarimeve të veta.
Me këtë vendim mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 15 qershor 2026, me të cilin H.S. u dënua me gjashtë vjet burgim efektiv për veprën penale të spiunazhit.

