Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë publik arsyetimin e aktgjykimit për rastin "Banjska": përgjegjësia e tre të dënuarve, thuhet në vendim, është provuar veçmas për secilin, nga arma automatike dhe automjeti logjistik deri te informatat operative mbi institucionet shtetërore në zonë.

Dy burgime të përjetshme dhe 30 vjet heqje lirie. Kjo është pesha e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për tre të akuzuarit në rastin "Banjska", të cilët u shpallën fajtorë për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.
Aktgjykimi është marrë më 24 prill 2026 dhe është përpiluar më 25 qershor 2026. Sipas tij, Blago Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vite burgim.
Zemra e arsyetimit është individualizimi i fajësisë. Gjykata konstaton se përgjegjësia e secilit të akuzuar është ndërtuar mbi provat që lidhen konkretisht me veprimet, dijeninë, dashjen dhe kontributin e tij. "Për secilin të akuzuar është vërtetuar veçmas lidhja ndërmjet kontributit individual dhe elementeve dalluese të secilës vepër penale", thuhet në vendimin e Gjykatës.
Për Spasojeviqin, përgjegjësia për veprën terroriste mbështetet, sipas aktgjykimit, në pajisjen, armatimin, pozicionin dhe pjesëmarrjen në realizimin e sulmit, ndërsa për veprën kundër rendit kushtetues në përfshirjen në strukturë, ardhjen e organizuar dhe dijeninë për barrikadën.
Në rastin e Toliqit, Gjykata ka marrë parasysh lidhjen me armën automatike, pajisjen ushtarake, automjetin logjistik, koordinimin para sulmit dhe praninë në fazën e realizimit. Për veprën kundër rendit kushtetues, përgjegjësia e tij lidhet me përfshirjen në strukturë, si edhe me mbledhjen dhe posedimin e informatave operative për institucionet që ushtronin autoritetin shtetëror në zonë.
Për Maksimoviqin, përgjegjësia për veprën e parë mbështetet në komunikimin, organizimin, orientimin dhe mbështetjen funksionale gjatë sulmit, ndërsa për të dytën në njohjen dhe përdorimin e mekanizmave të organizimit të barrikadave dhe në kontributin në rrjetin mbështetës kundër autoritetit shtetëror.
Gjykata Themelore ka vlerësuar se janë përmbushur veprimet bazë të veprës terroriste, konkretisht me vrasjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, sulmin me armë ndaj zyrtarëve policorë, plagosjen e zyrtarit policor Alban Rashiti dhe lëndimin e zyrtarëve të tjerë policorë. Në aktgjykim përmendet zjarri intensiv nga shumë drejtime me armë të llojeve të ndryshme, si edhe përdorimi i mjeteve vdekjeprurëse.
Rreziku, thekson Gjykata, nuk ishte i kufizuar vetëm te zyrtarët policorë. Gjatë sulmit u dëmtuan shtëpi banimi, objekte ndihmëse, banesa kolektive, pjesë të kompleksit të Manastirit të Banjskës dhe automjete të ndryshme.
Vlerësimin për potencialin shkatërrues të grupit, aktgjykimi e formulon kështu: "Në kuadër të veprës terroriste, rëndësia e tyre qëndron në fuqinë shkatërruese që grupi kishte në dispozicion, aftësinë për të shkaktuar viktima të shumta dhe kapacitetin për ta vazhduar sulmin për një periudhë të gjatë, duke përdorur armë të ndryshme dhe duke ndërruar pozicionet."
Qëllimin terrorist, sipas Gjykatës, e nxjerr ndërthurja e barrikadës me rrethanat e tjera të sulmit.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

