Shtatë raste të dhunës në familje kanë arritur në Policinë e Kosovës brenda 24 orëve. Në një prej tyre, në Gjakovë, kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit zbuloi një automatik AK-47, një pistoletë dhe dhjetëra fishekë.

Një thirrje për dhunë në familje në Gjakovë përfundoi me konfiskimin e një arsenali. Policia e Kosovës arrestoi personin që fillimisht u raportua për dhunë në familje dhe, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, gjeti dhe konfiskoi një armë automatike AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 copë fishekë dhe një boks të hekurit. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti i Gjakovës është vetëm një nga shtatë rastet e dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit në vend.
Në Prishtinë, policia arrestoi një person të dyshuar se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit dhe me pëlqimin e viktimës, ajo është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Fushë Kosovë është raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, rasti po hetohet në procedurë të rregullt. Në të njëjtën komunë, dy persona janë arrestuar pasi, sipas raportimit policor, pas një mosmarrëveshjeje ishin rrahur mes vetes. Të dyshuarit kanë marrë tretman mjekësor në QKUK dhe, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje.
Dy raste kanë të bëjnë me dhunë mes dy femrave. Në Graçanicë është raportuar se një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër, e cila ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore. Në Malishevë, Policia e Kosovës arrestoi një grua të dyshuar për dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër, që gjithashtu ka marrë tretman mjekësor. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i shtatë është shënuar në Mitrovicën e Jugut, ku është raportuar se një person ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.
Në të shtatë rastet, të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë derisa nuk vërtetohet e kundërta.
Shkuan në stacion për t'u ankuar ndaj një tikete trafiku dhe përfunduan në ndalim policor. Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar 48 orë ndalim për një baba dhe djalin e tij 17-vjeçar, të dyshuar për sulm ndaj një zyrtari policor.

