Çmimi i arit u hodh me 4% për pak orë pasi Thesari i SHBA-së dyfishoi blerjet e obligacioneve afatgjata shtetërore, ndërsa parashikimet flasin për rritje të mëtejshme deri në vitin 2027.

Çmimi i arit u ngjit ndjeshëm brenda pak orëve, duke arritur 4.524 dollarë për ons, pasi Thesari i Shteteve të Bashkuara zgjeroi dukshëm ndërhyrjet e veta në tregun e obligacioneve afatgjata shtetërore. Metali i çmuar u shtrenjtua me 185 dollarë, një kërcim prej rreth 4%, para se të pasonte një korrigjim i lehtë poshtë.
Kjo lëvizje shënon vazhdimin e një trendi rritës të nisur që nga fillimi i gushtit, periudhë gjatë së cilës çmimi i arit është ngritur për rreth 12%, nën ndikimin e një kombinimi faktorësh ekonomikë dhe gjeopolitikë.
Në qendër të lëvizjes qëndron vendimi i Thesarit amerikan për të dyfishuar blerjet e obligacioneve afatgjata, duke injektuar likuiditet prej të paktën 4 miliardë dollarësh për çdo operacion. Sipas informacioneve, më 19 gusht u bë e qartë se Shtetet e Bashkuara do të dyfishonin — ose edhe më shumë se dyfishonin — blerjet e letrave me vlerë shtetërore me afat maturimi mes 10 dhe 30 vjetësh.
Masa u fut në veprim pasi yield-et e obligacioneve amerikane 30-vjeçare arritën nivelin më të lartë në 19 vitet e fundit, në 5,34%. Ndërhyrja e uli menjëherë yield-in e kërkuar nga tregu në 5,18% dhe njëkohësisht kontribuoi në rritjen e ndjeshme të çmimit të arit. Rritja e vëllimit të injektimit të likuiditetit nuk përbën në vetvete një politikë të re, por tregon një përshkallëzim të problemeve të lidhura me borxhin publik të ekonomisë më të madhe në botë.
Sipas Georgi Hristovit nga kompania Tavex zlato&srebro, këto hapa ofrojnë vetëm një lehtësim të përkohshëm. "Përshtatja e politikës nuk i zgjidh problemet thelbësore të lidhura me deficitin buxhetor, inflacionin, apo tregun e borxhit, i cili është nën presion gjithnjë e më të madh të nevojave për financim," komentoi ai. "Ajo që po shohim aktualisht është një zgjidhje e përkohshme që i jep Scott Bessentit dhe Donald Trumpit njëfarë hapësire për të marrë frymë, por nuk përfaqëson një zgjidhje themelore," shtoi Hristovi.
Ndërkohë, banka amerikane Wells Fargo publikoi parashikime të rishikuara për ecurinë e çmimit të arit për vitet 2026 dhe 2027. Analistët e saj presin që çmimi të lëvizë deri në fund të këtij viti mes 4.900 dhe 5.100 dollarë për ons, ndërsa në vitin 2027 të ngjitet më tej, në nivelin 5.400 deri 5.600 dollarë. Sipas vlerësimeve të Wells Fargos, rritja do të nxitet nga pasiguria e vazhdueshme e tregut dhe ajo gjeopolitike në nivel global, si dhe nga blerjet e mëdha të arit nga një numër bankash qendrore.
Hristovi theksoi logjikën afatgjatë të investimit në ar, duke rekomanduar një horizont prej të paktën pesë vjetësh. "Klientëve tanë u këshillojmë vazhdimisht që t'i qasen arit me një horizont investimi prej të paktën pesë vjetësh. Po të kishit blerë thjesht një monedhë ari ose një shufër ari në vitin 2021, deri tani do të kishit realizuar një kthim mbi 150% edhe përkundër korrigjimit në fillim të vitit 2026 dhe rënies së çmimit të arit gjatë gjashtë muajve të fundit," tha ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

