Gjykata e Apelit ka rrëzuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë ndaj një zyrtari policor, duke gjetur se pranimi i fajësisë ishte miratuar pa arsyetim të mjaftueshëm.

Aktgjykimi dënues ndaj zyrtarit policor Fahredin Merovci, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, është anuluar nga Gjykata e Apelit, e cila e ka kthyer çështjen në rigjykim pas konstatimit të shkeljeve esenciale të procedurës penale.
Merovci ishte shpallur fajtor nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me aktgjykimin e 12 shkurtit 2026. Vendimin e kishte kundërshtuar mbrojtja, e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, e cila kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim, duke pretenduar shkelje esenciale të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe kundërshtime ndaj vendimit mbi sanksionin.
Në qendër të ankesës qëndronte mënyra se si ishte pranuar deklarimi i Merovcit për fajësinë. Sipas vlerësimit të Apelit, nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor rezultonte se i akuzuari kishte ndryshuar disa herë qëndrimin e tij brenda një kohe të shkurtër. Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se, para se ta miratonte pranimin e fajësisë, Themelorja nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm mbi bazën në të cilën kishte konstatuar plotësimin e kushteve ligjore.
Apeli ka konstatuar gjithashtu se nuk ishte bërë një analizë reale dhe substanciale e provave në të cilat mbështetej aktakuza. Në arsyetimin e vendimit, kolegji i është referuar edhe standardeve që burojnë nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë një proces të rregullt gjyqësor.
Në seancën e Apelit, avokati Berisha kishte qëndruar pranë ankesës dhe kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit. Mbrojtja kishte ngritur edhe pretendime të tjera, mes tyre kundërshtime lidhur me arsyetimin e aktgjykimit dhe me mënyrën se si ishin vlerësuar rrethanat rënduese gjatë caktimit të dënimit. Pasi konstatoi shkeljet procedurale që e bënin të domosdoshëm anulimin e vendimit, Apeli nuk hyri në shqyrtimin e plotë të pretendimeve që lidheshin me sanksionin penal.
Çështja tashmë kthehet në Gjykatën Themelore për rigjykim dhe mbetet e hapur. Merovci prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

