Një ndalim rutinë u kthye në përballje: të dyshuarit refuzuan urdhrat dhe goditën zyrtarët policorë, të cilët iu përgjigjën me armë zjarri. Në një nga veturat u gjet rreth 3 kilogramë marihuanë.

Një operacion antidrogë i Policisë së Kosovës në aksin Prishtinë–Mitrovicë përfundoi me përdorim të armës së zjarrit, sekuestrim droge dhe arrestime, pasi të dyshuarit nuk iu bindën urdhrave për ndalim dhe, sipas policisë, goditën zyrtarët në uniformë.
Sipas Policisë së Kosovës, përkatësisht Sektorit Qendror për Hetimin e Narkotikëve, gjatë ditës u lokalizuan dhe u vunë nën vëzhgim dy automjete me targa vendore, për të cilat dyshohej se po transportonin substanca narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.
Situata u tensionua gjatë tentativës për ndalimin e veturave. Sipas policisë, të dyshuarit nuk u bindën ndaj urdhrave zyrtarë dhe goditën zyrtarët policorë, të cilët, për të neutralizuar rrezikun, përdorën armën e zjarrit. Njësitë policore arritën ta ndalonin lëvizjen e dy automjeteve.
Gjatë kontrollit të njërës prej veturave, siç bëri të ditur policia, u gjet dhe u sekuestrua sasia kryesore e drogës: "Automjetet e dyshuara të përfshira në rast janë arritur që të ndalohen nga njësitë policore, ku gjatë kontrollit në njërën nga to është gjetur dhe sekuestruar rreth 3 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë."
Operacioni vijoi me tri bastisje në lokacione të ndryshme, ku u gjetën prova të tjera për rastin — mes tyre 0.7 gramë marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë.
Për të gjitha veprimet u njoftua prokurori kompetent. "Për të gjitha veprimet operative lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent me urdhër të të cilit personat e dyshuar pas arrestimit dhe nënshtrimit ndaj procedurave të tjera ligjore dërgohen në mbajtje për 48 orë", thuhet në njoftimin e policisë. Të dyshuarit mbeten të pafajshëm derisa një gjykatë të vendosë ndryshe.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

