Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, njëri prej të cilëve dyshohet se u paraqit rrejshëm si mjek dhe shfrytëzoi shpresën e një pacienti të sëmurë për një transplantim veshke.

Një premtim për veshkë të re në Turqi u kthye, sipas prokurorisë, në një skemë mashtrimi me vlerë prej 134 mijë e 761 euro. Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Valmir Hajrullahut dhe Avdyl Kryeziut, të cilët dyshohen se dëmtuan financiarisht një qytetar duke i shitur shpresën për shërim.
Sipas aktakuzës, Hajrullahu ishte paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi. Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë shëndetësore të viktimës, ai i kishte premtuar se do t'i organizonte transplantimin e veshkës. Në këtë mënyrë, thuhet në aktakuzë, i dyshuari kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash, gjoja për shpenzime spitalore, ekzaminime dhe procedura të lidhura me operacionin.
Hetimet e prokurorisë kanë zbardhur edhe mekanizmin e dyshuar të mashtrimit. Për ta bërë skemën më bindëse, sipas aktakuzës, ishin përdorur dokumente dhe të dhëna të rreme, termine fiktive për ekzaminime, rezervime biletash avioni, fatura dhe komunikime elektronike.
Në rast dyshohet se ishte i përfshirë edhe shtetasi turk Yilmaz Tassoker, i cili, sipas aktakuzës, ishte paraqitur si dhurues i veshkës. Ndaj tij procedura penale është veçuar.
Emri i Hajrullahut nuk shfaqet për herë të parë në dosje mashtrimesh. Në mars të këtij viti ai u dënua nga Gjykata Themelore në Ferizaj me dy vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për mashtrim me grant bujqësor. Ai përballet gjithashtu me një proces tjetër gjyqësor në Prishtinë, lidhur me pretendimet për mashtrime me grante dhe subvencione përmes OJQ-së "Qendra për Avokim dhe Diplomaci".
Me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që Hajrullahu dhe Kryeziu të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Të dy të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të mos vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

