Gjykata e Apelit ka vendosur që seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt të mbahet pa praninë e gazetarëve, pa dhënë asnjë arsye. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e quan vendimin censurues dhe kërkon që gjykata të anojë nga liria e medias.

Dyert e Gjykatës së Apelit do të mbeten të mbyllura për gazetarët në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Vendimi, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), është marrë pa asnjë arsyetim apo sqarim publik.
AGK ka reaguar me shqetësim të thellë, duke e cilësuar mbylljen e seancës si kufizim të paarsyeshëm të së drejtës së medias për të raportuar se si i trajtojnë gjykatat rastet e femicidit. "Gjykata e Apelit, pa dhënë arsye apo sqarim, ka vendosur që seanca gjyqësore të mbahet e mbyllur për media", thuhet në deklaratën e asociacionit. Arsyet e gjykatës për këtë vendim nuk janë bërë publike.
Asociacioni e lidh drejtpërdrejt kohën e vendimit me një tjetër rast që ka tronditur opinionin. "Ky vendim censurues i Gjykatës së Apelit vjen vetëm disa ditë pas vrasjes së një gruaje tjetër, Arlinda Zekaj, rast në të cilin mediat dhe gazetarët kanë dokumentuar dështimet zinxhirore të institucioneve shtetërore për ta mbrojtur atë", thekson AGK.
Sipas gazetarëve, nuk ka asnjë arsye ligjore që e justifikon mbylljen. "Konsiderojmë se nuk ekziston asnjë rrezik ligjor që do ta justifikonte këtë kufizim dhe se vlerësimi i Gjykatës së Apelit është i gabuar. Një vendim i tillë pamundëson informimin e publikut dhe cenon të drejtën e tij për të kuptuar se si trajtohen rastet e femicidit nga Gjykata e Apelit", shkruan asociacioni.
AGK i ka bërë thirrje gjykatës që të rishikojë qasjen në raste të ngjashme: "E ftojmë Gjykatën e Apelit që, në raste të tilla, të anojë nga garantimi i lirisë së medias dhe jo nga kufizimi i paarsyeshëm i së drejtës për qasje në informacion."
Gruaja që ka qenë prokurore në dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani drejton Prokurorinë Themelore të Pejës. Vëllai i viktimës thotë se emërimi ia thellon mosbesimin ndaj drejtësisë, ndërsa rasti i motrës, sipas tij, pret epilog prej 11 vjetësh.

