Ndërsa Kosova kalonte nga zgjedhjet te bllokada institucionale dhe sërish te zgjedhjet, çmimet nuk pritën: një pagë e pandryshuar ka humbur rreth 8,05% të fuqisë blerëse, me energjinë, ujin dhe transportin si goditjet më të rënda.

Një familje që në shkurt të vitit 2025 shpenzonte 500 euro në muaj, në korrik 2026 duhej të nxirrte rreth 544 euro për të blerë saktësisht të njëjtat gjëra. Kjo diferencë prej 44 eurosh është përkthimi në xhep i një periudhe politike që nisi me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe vazhdoi mes përpjekjeve për formimin e institucioneve, një qeverie me jetë të shkurtër në mandat të plotë dhe zgjedhjeve të tjera.
Sipas indeksit të përgjithshëm të çmimeve në Kosovë, një shumë parash e pandryshuar humbi rreth 8,05% të fuqisë blerëse gjatë kësaj periudhe krize institucionale. Analiza e raporteve mujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e kombinuar me serinë e krahasueshme të publikuar nga Eurostat, nxjerr rreth 8,75% inflacion kumulativ nga shkurti 2025 deri në korrik 2026.
Në muajt e parë pas zgjedhjeve, rritja ishte e ngadaltë. Raporti i ASK-së për shkurtin 2025 shënonte inflacion vjetor prej 1,7%. Deri në qershor ai ishte dyfishuar e më shumë, në 4,3%. Përshpejtimi vazhdoi në gjysmën e dytë të vitit: 5,1% në tetor, 5,3% në dhjetor. Mesatarja për të gjithë vitin 2025 doli 3,9%.
Viti 2026 e shtoi presionin. Vetëm brenda janarit çmimet u rritën me 1,2%, ndërsa në mars me 1,5%. Kulmi erdhi në prill, kur inflacioni vjetor arriti 7,5%, pika më e lartë e gjithë periudhës së analizuar. Maji dhe qershori sollën ulje të lehta, përkatësisht 0,4% dhe 0,1%, por ato nuk e zhbënë shtrenjtimin e grumbulluar. Në korrik çmimet u rritën sërish me 0,6% ndaj qershorit, me një inflacion vjetor prej 6,5%.
Mesatarja fsheh dallime të mëdha mes kategorive, dhe pikërisht aty ndihet barra për familjet me buxhet të kufizuar. Shpenzimet për banesën, energjinë dhe transportin u rritën më shpejt sesa ushqimi në tërësi.
Grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse shënoi rritje vjetore prej 15,2% në prill 2026 dhe mbeti i lartë edhe në korrik, me 11,1%. Drutë e zjarrit, peleti dhe lëndët e tjera të ngurta për ngrohje ishin 18,1% më të shtrenjta në korrik 2026 sesa një vit më parë. Rritja më e ashpër u regjistrua te furnizimi me ujë dhe shërbimet e tjera të lidhura me banesën, rreth 33,54% nga shkurti 2025 deri në korrik 2026, një kategori që përfshin më shumë se vetëm pagesën për ujë.
Edhe lëvizja u shtrenjtua ndjeshëm. Në korrik 2026 çmimet në grupin e transportit ishin 17,8% më të larta se një vit më parë, ndërsa në mars raporti i ASK-së kishte regjistruar një kërcim prej 25,8% të karburanteve dhe lubrifikantëve për transportin personal brenda një muaji të vetëm.
Te tavolina e ushqimit, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan në total rreth 6,35% nga shkurti 2025 deri në korrik 2026. Mishi u dallua si më i goditur: 9,1% më i shtrenjtë se në korrik të vitit paraprak dhe rreth 17,37% më i shtrenjtë në tërë periudhën e analizuar. Jo të gjitha ushqimet ndoqën të njëjtin drejtim: grupi i qumështit, produkteve të qumështit dhe vezëve ishte rreth 1,09% nën nivelin e shkurtit 2025, kurse perimet rreth 7,15% më poshtë.
Presioni mund të mos ketë përfunduar. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në vlerësimin e publikuar në prill, parashikonte inflacion mesatar prej 5,9% për Kosovën gjatë vitit 2026. Banka Qendrore e Kosovës, në raportin e publikuar në korrik, e përsëriti parashikimin e saj të prillit për një inflacion mesatar prej 6,7%, duke paralajmëruar se pasiguritë ishin shtuar dhe se rreziqet anonin drejt një norme edhe më të lartë. BQK-ja evidentoi gjithashtu tkurrje të konsumit privat në tremujorin e parë të vitit 2026, shenjë se familjet po shkurtojnë shpenzimet.
Rreziqet lidhen veçanërisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimit. Me afrimin e dimrit, nevojat sezonale për ngrohje e bëjnë buxhetin familjar edhe më të ekspozuar ndaj çdo shtrenjtimi të ri të energjisë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

