Pa një Kuvend funksional dhe pa një qeveri të re, Kosova rrezikon të mos i marrë 166 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian deri në fund të vitit, paralajmëron hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, i cili thotë se vetëm deri në fund të qershorit janë humbur mbi 50 milionë euro.

Paratë e Bashkimit Evropian për Kosovën kanë një afat, dhe ai afat po ecën pa institucione që t'i plotësojnë kushtet. Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, paralajmëron se për periudhën nga qershori deri në fund të dhjetorit vendi rrezikon të mos i marrë 166 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, nëse mbetet pa Kuvend funksional dhe pa një qeveri të re.
Sipas tij, humbjet kanë nisur tashmë: vetëm deri në fund të qershorit janë humbur më shumë se 50 milionë euro.
Jakaj e lidh drejtpërdrejt këtë me gjendjen politike të dy viteve të fundit. "Ajo çka po ndodh dy vitet e fundit ka të bëjë me rrënim të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe procesit demokratik në Republikën e Kosovës. Edhe duke mos pasur institucione stabile, legjitime dhe legale, Kosova ka humbur shumë dhe do të humbasë edhe më shumë në rast se vazhdon një situatë e tillë. Veçanërisht te plani i rritjes i Bashkimit Evropian, fondet të cilat një pjesë e tyre janë donacione, dhuratë për Kosovën, që Kosova fatmirësisht i ka marrë për arsye që e konstituoi Kuvendin në vitin 2025 për aq sa jetoi ajo legjislaturë, 61 milionë euro, ndërkohë ne rrezikojmë që të mos i marrim një pjesë tjetër ose me vështirësi t'i marrim në një periudhë tjetër të mëvonshme, një pjesë tjetër bukur të madhe të parave", ka deklaruar ai.
Arsyeja, shpjegon hulumtuesi i IKD-së, është se disbursimi i këtyre mjeteve varet nga vepra konkrete institucionale: projektligje të miratuara, strategji të aprovuara dhe organe kolegjiale e individuale me përbërje të plotë, që funksionojnë pandërprerë gjatë vitit.
"E dimë që deri në fund të muajit qershor ne i humbëm më shumë se 50 milionë euro, ndërkohë për periudhën qershor deri në fund të muajit dhjetor rrezikojmë që të mos i marrim të gjitha ato prej 166 milionë eurosh nga plani i rritjes. Kjo kryesisht duke mos pasur institucione legjitime dhe legale, sepse një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve dhe veprimeve që duhet t'i ndërmarrim në mënyrë që ato fonde të vijnë në Kosovë duhet t'i plotësojmë duke pasur Kuvend funksional, qeveri të re legjitime dhe legale", ka thënë ai.
Duke i renditur kushtet, Jakaj shton: "Sepse një pjesë e masave dhe veprimeve, ta zëmë, janë projektligje, një pjesë e madhe e tyre kanë të bëjnë me miratimin e strategjive të ndryshme, një pjesë e tyre ka të bëjë me organet kolegjiale dhe individuale fuqiplota të cilat janë me përbërje të plotë të anëtarëve, ku këto organe funksionojnë në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe që operojnë në mënyrë të pandërprerë gjatë një viti. Duke mos i pasur këto institucione, pasojat do të jenë të rënda për vendin, në disa çështje edhe të pariparueshme".
Pyetjes nëse paratë mund të sigurohen edhe në skenarin ku Kuvendi konstituohet, por vendi shkon sërish në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit, hulumtuesi i përgjigjet se një mundësi e tillë ekziston, me kusht që masat të miratohen brenda afatit.
"Po, në rast se ka një Kuvend që konstituohet shpejt, që rrjedh afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe deri në atë kohë nuk zgjidhet presidenti ose deri në atë kohë kur nuk zgjidhet presidenti shkojmë edhe në zgjedhje siç dihet nga gjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Kosova mund të përfitojë fondet nga plani i rritjes, të disbursohen ato mjete te ne për qeveri edhe për institucione të tjera, vetëm në rast se ai Kuvend edhe ajo qeveri legjitime dhe legale që del nga ai Kuvend arrijnë të miratojnë, ta zëmë, një pjesë të madhe të projektligjeve të caktuara për të cilat janë kërkesa, si me thënë, kërkesa të plota dhe kërkesa legjitime nga plani i rritjes", ka thënë ai.
Koha, megjithatë, do të ishte tejet e ngushtë. "Në rast se bëhen këto, po, Kosova mund të përfitojë, por duhet, si me thënë, të punojë edhe Kuvendi edhe qeveria nga 18 orë. Me 6 orë gjumë. Domethënë nuk mund të bëhen këto punë edhe të mbërrijnë këto mjete me punë të zakonshme, por me punë të jashtëzakonshme, ku edhe qeveria, edhe Kuvendi, edhe institucionet e tjera punojnë pandërprerë", ka thënë Jakaj.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

