Mbi 16 mijë lodra të shpallura të pasigurta nuk do të arrijnë në duart e fëmijëve. Inspektorët e tregut kanë bërë 149 kontrolle brenda një jave dhe kanë bllombuar afro katër kilogramë metale të çmuara.

Gjashtëmbëdhjetë mijë lodra të llojit "Slime", të vlerësuara si të pasigurta, janë ndaluar të hyjnë në tregun e Kosovës. Ky është rezultati më i dukshëm i një jave kontrollesh nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Lodrat u ndalën pas shtatë inspektimeve të përbashkëta me Doganat e Kosovës, të zhvilluara në kuadër të aksioneve të planifikuara me projektin e GIZ-it. Sipas Inspektoratit, qëllimi është që produktet e pasigurta të mos dalin në shitje dhe që konsumatorët, sidomos fëmijët, të mbrohen.
Gjatë javës së fundit inspektorët kryen gjithsej 149 inspektime, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore. Kontrollet u përqendruan te siguria e produkteve, mbikëqyrja e çmimeve, cilësia dhe konformiteti i mallrave, si dhe zbatimi i legjislacionit në fuqi.
U shqiptuan 18 gjoba. Shkeljet e konstatuara lidhen me mospërputhjen e çmimeve, mungesën e deklaracioneve të produkteve, moskonformitetin e produkteve të ndërtimit dhe mosrespektimin e urdhrave të inspektorëve.
Një kapitull më vete ishte tregtia e metaleve të çmuara. Për mungesë të dokumentimit të shenjëzimit u shqiptuan tetë gjoba, ndërsa u bllombuan 3,892.13 gramë metale të çmuara, pra afro katër kilogramë.
Inspektorët kontrolluan gjithashtu sektorin e naftës dhe të derivateve të saj, mjetet matëse dhe njehsorët elektrikë, peshën e bukës në furra, produktet kozmetike, produktet e ndërtimit dhe udhërrëfyesit turistikë.
Nga 149 lëndët e hapura, 77 janë mbyllur. 72 të tjera mbeten në procedurë, sepse subjekteve u është kërkuar dokumentacion shtesë ose duhet të eliminojnë parregullsitë e gjetura. Brenda së njëjtës periudhë u kryen edhe 16 riinspektime.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka paralajmëruar se, përmes Inspektoratit, kontrollet e rregullta do të vazhdojnë, me synimin për të parandaluar shkeljet dhe për të garantuar një treg më transparent për konsumatorët.

