Një vajzë 14-vjeçare afër Ferizajit kërkoi ndihmë te një pompë karburanti pasi, sipas rrëfimit të saj, u prek pa pëlqim gjatë udhëtimit me veturë. Policia arrestoi një 44-vjeçar, ndaj të cilit është nisur rasti për "sulm seksual".

Një ndalesë e shpejtë te pompa e karburantit "Hib Petrol" në fshatin Bibaj, afër Ferizajit, do të bëhej rruga e shpëtimit për një vajzë 14-vjeçare. Nën justifikimin se i duhej të shkonte në tualet, ajo arriti të kërkonte ndihmë nga një qytetar dhe të njoftonte Policinë — që çoi te arrestimi i një 44-vjeçari të dyshuar për sulm seksual.
Ngjarja daton natën e 16 gushtit. Sipas rrëfimit të vetë të miturës, ajo kishte mbetur pa transport për t'u kthyer në shtëpi dhe i kishte kërkuar 44-vjeçarit ta merrte me veturë. Ende pa e nisur atë natë, e mitura ka deklaruar se i dyshuari prej disa muajsh i kishte shkruar në rrjete sociale dhe i kishte kërkuar të dilte me të, por ajo nuk kishte pranuar.
Gjatë udhëtimit, sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari i kishte propozuar të shkonin në hotel. Pasi ajo refuzoi, dyshohet se ai filloi ta prekte në këmbë dhe në pjesën e kofshës, pa pëlqimin e saj. E frikësuar, vajza kërkoi që të ndalonin te pompa e karburantit — pikë ku ajo mundi të tërhiqte vëmendjen dhe të lajmëronte autoritetet.
Njësitet policore reaguan menjëherë dhe në vendngjarje gjetën si veturën me të cilën po udhëtonin, ashtu edhe të dyshuarin, i cili u arrestua. E mitura mori trajtim mjekësor dhe u intervistua në praninë e një zyrtareje të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa më pas u kthye në shtëpi bashkë me babanë e saj.
Gjatë intervistimit, i dyshuari shfrytëzoi të drejtën për t'u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokurori kujdestar për të mitur nisi ndaj tij rastin "sulm seksual" dhe caktoi ndalimin në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj. Hetimet Rajonale po vazhdojnë trajtimin e rastit.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

