Në shtatë ditë, Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut ka konfiskuar 12 armë zjarri, ka arrestuar 15 të dyshuar dhe ka shqiptuar gati 1,400 gjoba.

Dymbëdhjetë armë zjarri të hequra nga qarkullimi dhe 15 persona të vënë në pranga brenda vetëm një jave — ky është bilanci që Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut ka bërë publik për periudhën 10–16 gusht 2026.
Sipas njoftimit të policisë, të datës 17 gusht, gjatë kësaj jave janë intensifikuar aktivitetet operative dhe ato parandaluese, me synim ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike. Krahas armëve të konfiskuara, janë shqiptuar 1,390 gjoba për kundërvajtje të ndryshme.
Në planin e sigurisë rrugore, nëntë personave u është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit, për shkelje të ndryshme në trafik.
"Gjatë javës që lamë pas, në kuadër të angazhimeve policore, janë konfiskuar 12 armë zjarri, janë shqiptuar 1,390 gjoba, si dhe janë shqiptuar 9 masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik, për kundërvajtje të ndryshme në trafik", thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë së njëjtës periudhë, sipas policisë, janë arrestuar edhe 15 persona, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
"Policia e Mitrovicës së Jugut mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, duke ndërmarrë vazhdimisht veprime operative dhe parandaluese në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët", thuhet më tej në njoftim.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

