Mostrat nga varrezat masive të zbuluara në Kalludër dhe Jabukë janë në laborator, por emrat mund të mos dihen para disa muajsh. Ambasada britanike thotë se qëndron pranë familjeve që presin prej mbi një çerek shekulli.

Emrat e njerëzve, mbetjet mortore të të cilëve u nxorën nga tri varreza masive në komunën e Zubin Potokut, nuk do të dihen shpejt. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se procesi i identifikimit të mbetjeve të gjetura në Kalludër mund të zgjasë edhe disa muaj, sepse ato duhet t'u nënshtrohen analizave dhe procedurave të nevojshme për të përcaktuar identitetin.
"Identifikimi i mbetjeve mortore merr kohë, edhe për disa muaj", ka deklaruar Kurti, duke shtuar se procedurat kërkojnë kohë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Deri më tani janë nxjerrë mbetjet e 23 personave nga tri lokacione ku gërmimet kanë nisur para më shumë se një muaji: 13 në lokacionin e parë në Kalludër, së paku katër në Jabukë dhe së paku gjashtë në lokacionin e tretë, po ashtu në Kalludër. Mostrat nga Jabuka janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi mund të përcaktohet me saktësi se kujt i përkasin mbetjet.
Numri 23, sipas Kurtit, përkon me atë që njihet si "grupi i intelektualëve", të cilët, siç tha ai, më 19 prill 1999 ishin ndaluar, rrëmbyer dhe vrarë nga forcat serbe.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani, ka theksuar para mediave se kërkimet në atë zonë nuk ndalen këtu. "Opinioni ka qenë i njoftuar për gjetjet në komunën e Zubin Potokut. Ne duam të themi një gjë, që këto nuk janë përpjekjet e para dhe të fundit që janë bërë në këtë zonë, pra përpjekje të tilla për të hulumtuar dhe për të gjetur varreza, qoftë varre individuale apo varre kolektive, janë bërë që nga fillimi i këtij viti, natyrisht janë bërë edhe gjatë viteve të tjera, por fatkeqësisht kanë rezultuar pa gjetje konkrete", tha ai.
Sipas Limanit, ndryshimin e bëri puna e institucioneve të sigurisë. "Falë përkushtimit të institucioneve tona, në radhë të parë falë përkushtimit të segmentit të sigurisë, respektivisht të njësisë së Policisë për Hulumtimin e Personave të Zhdukur, këto përpjekje kanë rezultuar me gjetje konkrete. Kemi pasur fatin të kemi zbuluar tri varre masive, falë rrethanave. Kemi përfunduar në pikën ku mbetjet mortore t'i nënshtrohen një ekzaminimi mjeko-ligjor", u shpreh kryesuesi i komisionit.
Në operacionin e gërmimeve dhe të identifikimit janë përfshirë Policia e Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe ekipet mjekoligjore të EULEX-it. Në afërsi të lokacioneve është gjetur edhe një sasi e madhe armatimi, e cila është dërguar për ekzaminim dhe analizë, për të përcaktuar nëse mund të ketë lidhje me krimet e kryera në këto zona.
Nga jashtë ka ardhur mbështetja e Londrës. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mirëpritur punën e autoriteteve të Kosovës për nxjerrjen e mbetjeve dhe për ekzaminimet mjekoligjore e testet e ADN-së. "Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë familjeve të atyre që ende janë të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999 dhe mbështet përpjekjet për të gjetur përgjigje për ta pas shumë vitesh pasigurie. Ne mirëpresim punën e autoriteteve të Kosovës për nxjerrjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin Potokut dhe kryerjen e ekzaminimeve forenzike dhe testeve të ADN-së për identifikimin e mbetjeve", thuhet në reagimin e ambasadës.
Kurti ka kujtuar se qindra familje ende presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre dhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të shtojë trysninë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

