Një grant për kultivimin e kërpudhave, një faturë e dyshuar fiktive dhe rreth 1,75 milion euro transferta për shërbime që, sipas dyshimeve, nuk u ofruan kurrë: Gjykata e Apelit vendosi që Valon Lluka të mbetet në paraburgim deri më 6 nëntor.

Valon Lluka do ta kalojë muajin në paraburgim. Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së tij dhe ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit masa llogaritet nga 7 tetori deri më 6 nëntor 2026.
Lluka dyshohet për katër vepra penale: mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar, mashtrim, lidhje të kontratës së dëmshme dhe shpërdorim të pasurisë së huaj.
Në qendër të dyshimeve, ashtu siç përshkruhen në aktvendim, janë dy linja parash. E para lidhet me administrimin e një granti për kompaninë Hirano Mushrooms. Sipas dyshimeve, makineri që ekzistonin më parë u paraqitën si investime të reja, u përdor një faturë fiktive dhe mjetet u devijuan, me një përfitim të pretenduar të kundërligjshëm prej 39.595 eurosh.
Linja e dytë, shumë më e madhe në vlerë, ka të bëjë me kontratat dhe pagesat e kompanisë Isdiar LLC, përfshirë projektin e Aeroportit të Bengazit në Libi. Aktvendimi përmend dyshime për një pagesë prej 600 mijë dollarësh mbi bazën e një fature të parregullt, si dhe transferta që arrijnë gjithsej rreth 1,75 milion euro për shërbime që, sipas dyshimeve, nuk ishin ofruar.
Mbrojtja kishte kërkuar lirimin. Avokati Driton Muharremi, mbrojtësi i Llukës, i kërkoi gjykatës së shkallës së dytë ndërprerjen e paraburgimit dhe mbrojtjen në liri, ose të paktën caktimin e një mase alternative. Në ankesë ai kundërshtoi vetë ekzistimin e dyshimit të bazuar, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë kishte pranuar pretendimet e Prokurorisë pa një analizë të mjaftueshme e të pavarur të provave.
Apeli nuk u bind. Sipas trupit gjykues, provat e mbledhura deri tani e mbështesin dyshimin e bazuar, ndërsa ekziston rreziku që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët dhe të ndërhyjë në prova. Si argument, gjykata përmend sjelljen e Llukës gjatë marrjes në pyetje: ai ishte interesuar të mësonte se kush nga kompania Hirano Mushrooms kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, si dhe nëse ishte marrë në pyetje një person me inicialet H.L.
Këto rrethana, sipas gjykatës, bashkë me rrezikun e ndërhyrjes në dokumentacionin financiar, në komunikimet elektronike dhe në prova të tjera që ende nuk janë siguruar, e justifikojnë mbajtjen e tij pas hekurave.
Megjithatë, Apeli nuk e mori përsipër të gjithë arsyetimin e Themelores. Dy nga bazat e përdorura në shkallën e parë, rreziku i arratisjes dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, u rrëzuan, pasi për to, sipas Apelit, mungojnë rrethana konkrete. Paraburgimi mbetet kështu i mbështetur vetëm te rreziku për provat dhe dëshmitarët.
Vendimi i Apelit ka të bëjë vetëm me masën e paraburgimit dhe nuk përbën vendim për fajësinë e Llukës, i cili mbetet i dyshuar deri në një vendim të formës së prerë.
Presidentja Justina Shiroka Pula pranoi kërkesën e PDK-së dhe e ktheu për rishqyrtim ligjin për Dhomat e Specializuara. Ramush Haradinaj reagoi menjëherë: ata që u bënë pjesë e kësaj loje, sipas tij, i mbuloftë turpi për jetë.

