Katër persona dhe një veturë "Audi" u kapën nga kamerat duke tentuar një vjedhje pas orës 03:54 në Gjilan. Pronari, asamblisti i PDK-së Riad Rushiti, ka publikuar pamjet dhe u bën thirrje qytetarëve për informacione.

Katër persona dhe një veturë "Audi" janë regjistruar nga kamerat e sigurisë teksa tentonin një vjedhje në një objekt afarist në Gjilan, në rrugën e Malishevës. Ngjarja, sipas njoftimit, ka ndodhur rreth orës 03:54, në orët e para të mëngjesit.
Pamjet janë publikuar nga asamblisti i PDK-së në Gjilan, Riad Rushiti, i cili ka thënë se objekti është në pronësi të familjes së tij. Sipas mediave lokale, bëhet fjalë për një Qendër të Kontrollimit Teknik të veturave.
Rushiti ka bërë të ditur se, përveç disa dëmeve të vogla materiale, nuk është shkaktuar dëm tjetër. Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse e shohin veturën ose kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e personave, ta njoftojnë menjëherë policinë.
Autorët e dyshuar ende nuk janë identifikuar dhe hetimet po vazhdojnë. Deri tani nuk ka njoftim zyrtar nga policia mbi ndalime apo arrestime në lidhje me rastin.