Hetuesit antikorrupsion hipën me shkallë mbi portën metalike për të hyrë në zyrën e kryeprokurorit të Ukrainës. Tri ditë më vonë, Ruslan Kravchenko la postin, ndërsa Nabu publikoi pamje të një kasaforte plot dollarë dhe akuzat për një rrjet qendrash telefonike mashtruese të mbrojtura nga zyrtarë shtetërorë.

Portës metalike të zyrës së kryeprokurorit të Ukrainës iu desh një shkallë. Hetuesit e Byrosë Kombëtare Antikorrupsion (Nabu) mbërritën të premten, personeli refuzoi t'i lejonte të hynin dhe ata e kaluan portën duke u ngjitur me shkallë. Ruslan Kravchenko nuk ishte në punë. Ai ishte zhdukur edhe nga banesa e tij, e cila u kontrollua po atë mbrëmje.
Të hënën, Kravchenko dha dorëheqjen nga posti i kryeprokurorit, pasi u ngritën akuza se disa prej zyrtarëve të tij ishin përfshirë në pastrim parash në përmasa të mëdha. Sipas akuzave, ata merrnin para në dorë për të mbrojtur qendrat telefonike, të ashtuquajturat "call centre", të përfshira në mashtrime telefonike të paligjshme. Kravchenko i mohon shkeljet dhe la detyrën pas një takimi me presidentin Volodymyr Zelensky.
Zelensky e cilësoi bisedën me Kravchenkon si "mjaft e gjatë" dhe shtoi: "Jam i sigurt se e kuptoni çfarë diskutuam." Sipas tij, letra e dorëheqjes do t'i dërgohet Radës Supreme, parlamentit të Ukrainës. Presidenti foli gjithashtu me drejtuesit e Nabu-s dhe të Sapo-s, Prokurorisë së Specializuar Antikorrupsion, dy agjencitë që kanë zbuluar skemën kriminale me përfshirje zyrtarësh qeveritarë.
Skema, sipas hetimit, mbështetet mbi qendra telefonike që operojnë në Ukrainë. Punonjësit e tyre paraqiten si banka, si organe të zbatimit të ligjit ose si këshilltarë investimesh dhe i bindin viktimat të transferojnë para në llogari ose portofola kriptovalutash nën kontrollin e tyre. Të targetuar janë ukrainas, rusë dhe qytetarë të Bashkimit Evropian. Sipas Nabu-s, një zyrtar i lartë brenda Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm e mbronte rrjetin kriminal dhe e ndihmonte të pastronte pasuritë.
Secila "call centre" paguante 7.000 dollarë (5.200 paund) në muaj si haraç mbrojtjeje, sipas burimeve të zbatimit të ligjit të cituara nga gazeta Ukrainska Pravda, ndërsa ryshfetet arrinin në miliona dollarë. Besohet se në vend veprojnë qindra qendra të tilla, me rreth 60.000 të punësuar.
I dyshuari kryesor u arrestua në qytetin perëndimor të Lvivit. Regjistrimet e bisedave telefonike të publikuara nga Nabu sugjerojnë se ai mbikëqyrte punimet e rinovimit në shtëpinë e Kravchenkos dhe, në të njëjtën kohë, mblidhte ryshfete nga qendrat telefonike mashtruese.
Gjatë fundjavës, Nabu publikoi pamje të një kasaforte të mbushur me tufa kartëmonedhash dollarësh. Agjencia deklaroi se ka zbuluar pesë zyrtarë që qëndrojnë pas skemës, por nuk i emëroi ata. Paratë, sipas Nabu-s, shkonin për pasuri të paluajtshme, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Provat u paraqitën në një video 30-minutëshe.
Kravchenko është emri i fundit nga rrethi i ngushtë i Zelenskyt që lidhet me korrupsionin. Vitin e kaluar presidenti u përpoq t'u hiqte pavarësinë Nabu-s dhe Sapo-s, një vendim që e tërhoqi pas protestave në Kiev dhe në qytete të tjera. Ekzistojnë gjithashtu pretendime se Zyra e Prokurorit i ka spiunuar më pas punonjësit e Nabu-s dhe është përpjekur të pengojë punën e tyre.
Aktivistja e transparencës Olena Tregub tha se ukrainasit po komentonin masivisht në rrjetet sociale për hetimet. "Shoqëria është e tronditur dhe e revoltuar nga zyrtarë qeveritarë që në thelb sillen si mafia", tha ajo. Sipas saj: "Ky as nuk është korrupsion. Është krim i organizuar, që mbron qendra telefonike të paligjshme që po mashtronin njerëz, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Evropë."
Tregub tha se këto hetime ndryshojnë nga të mëparshmet sepse detektivët e Nabu-s janë "shumë të mirë teknikisht". "Ata po regjistrojnë njerëz në shtëpitë e tyre, në zyrat e tyre dhe përmes telefonit", tha ajo. "Ata po ua kalojnë për nga zgjuarsia organeve të tjera të zbatimit të ligjit që luftojnë kundër tyre dhe arrijnë të incizojnë njerëz që mendojnë se gjithçka është diskrete."
Zbulimet vijnë ndërsa Ukraina është nën sulm ditë e natë nga dronët dhe raketat ruse. Tre persona u vranë dhe 19 u plagosën në sulmet e natës mbi Kiev, të cilat shkaktuan zjarre të mëdha dhe lanë tymin të varur mbi qytet. Sulmi shënoi fundin e një armëpushimi tredit or në kryeqytet, pas vizitës së të dielës nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët të shtunën kishin qenë në Moskë, ku u takuan me Vladimir Putinin.
Zelensky tha se dyshja kishte sjellë disa "ide shumë të mira dhe të vlefshme" për t'i dhënë fund luftës, por nuk dha detaje të tjera. Ai shtoi se shpreson të takohet me Trumpin brenda dy javësh. Pak veta presin një përparim, ndërsa Kremlini pretendoi të martën se forcat e tij janë afër fitores.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

