Ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani u takua në Jordani me një delegacion izraelit të kryesuar nga shefi i Mosadit, Roman Gofman, në bisedime të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, vetëm ditë pasi Izraeli goditi bazën ajrore Abu Duhur pranë kufirit me Turqinë.

Pas një sulmi ajror izraelit mbi një bazë siriane në afërsi të kufirit turk, Damasku dhe Tel Avivi janë ulur sërish përballë njëri-tjetrit. Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, u takua ditën e diel në Jordani me zyrtarë të inteligjencës izraelite, në një përpjekje për të ulur tensionet që kërcënojnë të shpërthejnë në një përplasje më të gjerë rajonale.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, Sana, duke iu referuar një burimi diplomatik, bëri të ditur se bisedimet u ndërmjetësuan nga Shtetet e Bashkuara dhe se në to mori pjesë një "delegacion izraelit i nivelit të lartë". Sipas agjencisë franceze AFP, al-Shaibani u takua me drejtuesin e shërbimit izraelit të inteligjencës Mosad, Roman Gofman.
Sipas Sanës, diskutimet u "përqendruan në krijimin e mekanizmave praktikë për ndalimin e sulmeve, arrestimeve dhe operacioneve izraelite të shënjestrimit", si dhe në "ringjalljen e negociatave për një marrëveshje të qëndrueshme sigurie mes dy palëve". Në tryezë u trajtuan edhe përpjekjet për të zbutur tensionet mes Izraelit dhe Turqisë, me qëllim që rivaliteti i tyre të mos derdhet mbi territorin sirian.
Pala siriane, gjithnjë sipas Sanës, theksoi gjatë takimit "se Siria është një shtet sovran me të drejtë të plotë për të rindërtuar e zhvilluar ushtrinë e vet kombëtare dhe për të përcaktuar aleancat e partneritetet e veta në përputhje me interesat kombëtare". Damasku hodhi poshtë "çfarëdo marrëveshjeje apo mekanizmi që do të kufizonte këto të drejta sovrane".
Prioritetet e menjëhershme të Sirisë në bisedime mbeten tërheqja e Izraelit në pozicionet që mbante para rrëzimit të Bashar al-Assadit dhe rikthimi i plotë i marrëveshjes së shkëputjes së forcave të vitit 1974. Zyrtarët sirianë rikonfirmuan gjithashtu sovranitetin e Damaskut mbi Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli.
Nga ana tjetër, mediat izraelite i cilësuan bisedimet si "pozitive" dhe raportuan se zyrtarët izraelitë kishin hyrë në tryezë me një sërë vijash të kuqe: parandalimin e aktivitetit ushtarak turk në Siri, mbajtjen e demilitarizuar të anës siriane të Lartësive të Golanit, "garantimin e sigurisë" së komunitetit druz në Siri dhe pengimin e ushtrisë siriane që të pajiset me disa sisteme strategjike armësh. Çdo tërheqje nga territoret siriane të pushtuara u kushtëzua me "arritje diplomatike".
Konteksti i këtij takimi është një vit i tërë sulmesh. Që nga rënia e sundimtarit të gjatë të Sirisë, Bashar al-Assad, në dhjetor 2024, Izraeli ka kryer qindra goditje mbi Sirinë dhe ka dërguar trupa në zonën tampon të patrulluar nga Kombet e Bashkuara, e cila prej kohësh ndante forcat izraelite nga ato siriane në Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli. Të enjten, ai bombardoi bazën ajrore Abu Duhur në Idlibin verilindor, duke pretenduar se sulmi kishte për qëllim të pengonte vendosjen e trupave turke në atë bazë, një pretendim që Siria dhe Turqia e kanë mohuar. Që nga ai incident, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti turk Recep Tajip Erdogan kanë shkëmbyer akuza publike, në një klimë tensioni të lartë mes tyre.
Shtetet e Bashkuara po përpiqen prej më shumë se një viti të ndërmjetësojnë një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe qeverisë së presidentit sirian Ahmed al-Sharaa. Në raundet e mëparshme, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, dy vendet kishin rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët shkëmbimi të informacioneve dhe shuarjeje të tensioneve. Negociatat ngrinë në fund të shkurtit, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën e tyre kundër Iranit, pa u caktuar ndonjë datë për rifillim.
Në një intervistë të publikuar para takimit, al-Shaibani i tha agjencisë Reuters se Damasku nuk i beson Izraelit, por se dera për diplomaci mbetet e hapur. Ai tha se Siria e kishte ndërprerë krejtësisht kontaktin pas sulmit izraelit mbi bazën ajrore Abu al-Duhur javën e kaluar. Sipas tij, në fillim të vitit dy palët kishin rënë dakord në letër për "pothuajse gjithçka", përfshirë rregullimet për zonat e sigurisë në jugun e Sirisë dhe një zonë tampon ku do të ishin të pranishme vetëm forcat e OKB-së.
Optimizmi mbetet i kursyer. Hassan Mneimneh, analist politik dhe studiues në Institutin e Lindjes së Mesme, i tha Al Jazeerës se ky raund bisedimesh vështirë se do të sjellë uljen e tensioneve, duke pasur parasysh historikun e Izraelit. "Është krejt e kundërta, do të thotë tani që Siria ka treguar dëshirën e saj që situata të de-eskalohet, Izraeli ka gjasa të sjellë më shumë kërkesa dhe t'i vërë amerikanët që t'i negociojnë këto kërkesa të reja me Sirinë, kundër çdo lloj zgjerimi të pranisë turke në veri dhe përtej veriut", tha ai.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

