Vizita e dy të dërguarve specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në Kiev dhe Moskë është shtyrë. Një burim i agjencisë ruse TASS thotë se vështirë se do të ndodhë para fundit të gushtit.

Udhëtimi diplomatik që pritej të çonte dy të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump në dy kryeqytetet në qendër të luftës, Kievin dhe Moskën, është shtyrë për momentin. Këtë e ka bërë të ditur një burim për agjencinë ruse të lajmeve TASS, i cili nuk ka dhënë shpjegim të detajuar për arsyet e vendimit.
Bëhet fjalë për Steve Witkoffin dhe Jared Kushnerin, të dy të dërguar specialë të presidentit amerikan. "Vështirë se vizita do të mbahet para fundit të gushtit. Kjo do të thotë se ka arsye për shtyrjen e saj", tha burimi i agjencisë. I njëjti burim kishte lënë të kuptohej më herët se dy emisarët mund të vizitonin Kievin dhe Moskën pikërisht para fundit të gushtit.
Nga ana ruse, ministri i Jashtëm Sergej Lavrov ka deklaruar se presidenti Vladimir Putin është i gatshëm t'i presë sërish të dërguarit e liderit amerikan, duke shtuar se mbetet për t'u parë çfarë propozimesh do të sjellin ata në Kremlin.
Për këtë udhëtim flitet prej muajsh, por datat konkrete kanë vazhduar të lëvizin. Më 31 korrik, pas bisedimeve me Trumpin, Financial Times shkroi se dy emisarët amerikanë do të niseshin për në Ukrainë brenda ditëve në vijim. Disa ditë më vonë, më 8 gusht, burimi i TASS-it tha se vizitat në Kiev dhe Moskë mund të organizoheshin brenda shtatë deri në dhjetë ditësh. Asnjë prej këtyre afateve nuk u materializua.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

