Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer akuzon Beogradin si përgjegjësin kryesor për stanjacionin në dialog dhe u kërkon BE-së e SHBA-së të ashpërsojnë qëndrimin ndaj Serbisë.

Pas gati një dekade pa asnjë përparim të vërtetë, dialogu Kosovë-Serbi mbetet i ngujuar në të njëjtin vend — dhe fajin kryesor ish-diplomati amerikan Daniel Serwer ia vë mungesës së vullnetit politik të Beogradit.
Në një deklarim për RTK-në, Serwer u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ta rrisin presionin mbi Serbinë dhe ta zhbllokojnë rrugën integruese të Kosovës. Sipas tij, është e paarsyeshme të pritet progres kur njëra palë nuk tregon gatishmëri.
“Do të ishte e vështirë të pritej përparim pas asaj që, në thelb, kanë qenë rreth dhjetë vjet pa ndonjë progres të vërtetë”, tha ai. Serwer u shpreh kritik edhe ndaj marrëveshjeve të mëparshme: “Nuk jam adhurues i marrëveshjeve të arritura as në Bruksel dhe as në Ohër. Nuk mendoj se ato ishin marrëveshje të mirëfillta. Serbia në të vërtetë nuk u zotua kurrë seriozisht për zbatimin e tyre.”
Sipas tij, Beogradi as nuk i nënshkroi ato marrëveshje, as nuk mori angazhime të qarta. Ndaj, thekson ai, pritja e ndryshimit ishte e pabazuar. “A shpresoj për përparim? Sigurisht. Por Aleksandar Vuçiq e ka bërë shumë të qartë se nuk është fort i interesuar për këtë. Dhe, siç thuhet, duhen dy palë për të kërcyer tangon”, shtoi Serwer.
Ai vlerëson se Kosova duhet të mbetet palë konstruktive dhe të koordinohet ngushtë me BE-në e SHBA-në për ta mbajtur gjallë procesin. Njëkohësisht, sipas tij, Brukseli tashmë ka nisur ta ndryshojë qasjen ndaj Prishtinës.
“Besoj se evropianët e kanë kuptuar se kanë bërë një gabim kur vendosën masa ndaj Kosovës disa vjet më parë. Tani ato masa janë lehtësuar. Gjithashtu, mendoj se Bashkimi Evropian e ka kuptuar se Beogradi po tregohet vërtet shumë jokonstruktiv”, tha ai.
Serwer kërkoi një qëndrim më të fortë edhe nga Uashingtoni. Sipas tij, amerikanët e kanë trajtuar Beogradin me tepër butësi, kryesisht në përpjekje për ta larguar ndikimin rus nga Serbia. “Ne nuk kemi qenë mjaftueshëm të ashpër ndaj Beogradit, qoftë për çështjet e korrupsionit, qoftë për dialogun. Mendoj se në të ardhmen duhet të kemi një qasje shumë më të vendosur ndaj Beogradit”, pohoi ai.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, Serwer vuri në pah se Prishtina e ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare përmes angazhimit në nisma për paqe, përfshirë pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe dërgimin e trupave në Gazë.