Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, nuk do të dalë javën e ardhshme para deputetëve për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë: komisioni i sigurisë e shtyu raportimin me katër javë. Ndërkohë, Arberie Nagavci njofton nismën për një komision hetimor parlamentar me mandat gjashtëmujor.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk do të ulet javën e ardhshme përballë deputetëve për të shpjeguar vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nuk e miratoi kërkesën e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, dhe kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, njoftoi se Hoxha do të raportojë pas katër javësh për çështjet që kanë shqetësuar deputetët.
Musliu e ngriti kërkesën duke iu referuar dyshimeve që kanë shoqëruar rastin. Sipas saj, komisioni duhet ta dëgjojë drejtpërdrejt Policinë për të kuptuar si janë zhvilluar veprimet institucionale.
“U ngritën shumë dilema, konsideroj që si komision duhet ta ftojmë policinë, t’i dëgjojmë çka kanë me na thënë lidhur me rastin. Nëse del se nga ana e policisë ka shkuar gjithçka në rregull duhet t’i heqim dilemat. Shumë e domosdoshme është që të zbardhet rasti. Konsideroj si komision na takon me dëgjua rrëfimin nga Policia e Kosovës”, tha deputetja.
Ajo këmbënguli për afatin e një jave, duke theksuar se nuk synon të fajësojë Policinë, por të sqarojë rrethanat. Musliu la të hapur edhe mundësinë që më pas të thirret Inspektorati Policor.
“Unë kërkoj që javën tjetër sot një javë të ftohet drejtori i Policisë së Kosovës dhe të raportojë për vrasjen. Pa drejtuar gishtin nuk po tentoj ti kë faj unë po dua ta mbroj policinë. Ne mundemi me thirr edhe Inspektoratin Policor pastaj. Propozimi im është shumë i qartë, ju caktojeni”, u shpreh ajo.
Bajqinovci nuk e ndryshoi qëndrimin. Ai argumentoi se përgjegjësitë institucionale do t’i shqyrtojë një komision hetimor i veçantë dhe, në të njëjtën përgjigje, u ndal edhe te çështja e kampit të Vrellës, për të cilën tha se nuk ka pasur asnjë rrezik.
“Do të ketë komision hetimor dhe ai komision do të kryejë punën e vet. Ai komision do të zbardhë të vërtetën se cili institucion e ka neglizhuar punën nëse ka pasur në rastin e të ndjerës. Për çështjen në kampin e Vrellës, nuk është rrezikua asgjë aty dhe se në atë pjesë të kampit janë realizuar intervista të ndryshme dhe se nuk ka pasur asnjë rrezik. Unë besoj se drejtori i policisë do të raportojë muajin e ardhshëm”, deklaroi kryetari i komisionit, i cili në fund të diskutimit përsëriti afatin prej katër javësh.
Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Shqipe Selimi e zgjeroi debatin përtej rastit konkret, duke kërkuar që dhuna në familje të trajtohet me seriozitet nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe që Policia të vijë të raportojë.
“Na ka tronditur jo vetëm ky rast por të gjitha rastet edhe sot të dhunës në familje. Janë të evidentueshme dhe të pafalshme se si trajtohet gruaja në familje shqiptare. Nga ky komision u bëj thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese dhe të gjithë atyre që kanë të bëjnë me çështje sociale të merren me këto tema, mos të mbetet faji te gruaja apo policia e prokuroria...secili nga pak atëherë rrumbullakësohet puna e gjithë secili pantohem që policia duhet të vijë dhe të raportojë”, tha Selimi.

Komisioni hetimor që përmendi Bajqinovci ka marrë tashmë formë si nismë. Arberie Nagavci njoftoi se është iniciuar themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për vrasjen e Zekajt, me mandat gjashtëmujor. Sipas Nagavcit, Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, por përfundoi e vrarë.
Komisioni do të hetojë veprimet dhe mosveprimet e gjithë zinxhirit institucional që kishte për detyrë ta mbronte: nga mënyra si u trajtuan denoncimet dhe paralajmërimet, te vlerësimi i rrezikut, zbatimi i urdhrave të mbrojtjes dhe veprimet e policisë, prokurorisë, gjykatave e institucioneve të tjera përgjegjëse.
“Hetimi do të përfshijë edhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Brenda 60 ditëve nga themelimi, komisioni parashihet t’i paraqesë Kuvendit raportin e përkohshëm me gjetjet fillestare dhe masat që kërkojnë veprim të menjëhershëm. Asnjë neglizhencë, vonesë apo mosveprim institucional nuk duhet të mbetet pa u shqyrtuar. Duhet të zbardhet se kush ka pasur detyrimin të veprojë, çfarë veprimesh janë ndërmarrë dhe ku ka dështuar mbrojtja institucionale”, tha Nagavci.
Mbi bazën e gjetjeve, nismëtarët paralajmërojnë se do të kërkojnë masa konkrete, adresimin e përgjegjësive te organet kompetente dhe përmirësimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Policët reagues në Ferizaj mbërritën me kohë dhe parandaluan një veprim që, sipas policisë, dyshohet se synonte t'i bënte keq vetes një vajze 17-vjeçare. E mitura u dërgua në Emergjencë për ndihmë mjekësore.

