Institucionet kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze se jeta e Arlinda Zekajt ishte në rrezik, pranon raporti i prezantuar nga ministrja Donika Gërvalla. Megjithatë, as ajo, as ministri Xhelal Sveçla nuk heqin dorë nga postet, ndërsa para Qeverisë shpërthen zemërimi i qytetarëve.

Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Këtë e pranoi vetë ministrja e Drejtësisë dhe koordinatorja kombëtare kundër dhunës në familje, Donika Gërvalla, teksa prezantoi në ndërtesën e Qeverisë raportin për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e gruas që u vra natën e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Në të njëjtën konferencë, ajo dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bënë të qartë se nuk do të japin dorëheqje.
"Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse dhe analizon veprimet, por edhe mosveprimet e tyre, nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt më 10 korrik e deri te vrasja e saj më 25 tetor. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë, sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuara nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje, presim ende dokumentacion dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj", deklaroi Gërvalla.
Kronologjia që ajo shpalosi nis më 10 korrik 2026. Atë ditë, sipas ministres, Zekaj u paraqit në Policinë e Kosovës dhe raportoi dhunë fizike e psikologjike nga bashkëshorti, si dhe kërcënime. Ajo dorëzoi prova dhe njoftoi policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.
Problemi nuk mbaronte me kaq. "Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë, ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit, të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhërmbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar shprehimisht dhe ishte i dokumentuar", tha Gërvalla.
Përgjigjja e gjykatës erdhi vetëm pjesërisht. "Më 7 shtator, gjykata miratoi pjesërisht kërkesën për mbrojtje emergjente. Më 9 shtator, pra dy ditë më vonë, Arlinda Zekaj e kundërshtoi këtë vendim, sepse ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj", vijoi ministrja. Sipas saj, raporti ka evidentuar shkelje të afateve ligjore nga Gjykata Themelore në Pejë gjatë trajtimit të kërkesës për urdhërmbrojtje emergjente.
Pyetjes për dorëheqje, Gërvalla iu përgjigj se e sheh të kundërtën si zgjidhje. "Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetarët e Republikës së Kosovës e dinë që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare. Na lejoni të bëjmë punën tonë, na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah, të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve", tha ajo.
Sveçla u ndal te policia. Ai bëri të ditur se veprimet dhe mosveprimet e saj janë verifikuar përmes Inspektoratit Policor të Kosovës dhe se raporti përkatës i është dorëzuar një ditë më parë kryeministrit Albin Kurti. Sipas ministrit, verifikimet e 72 orëve të fundit i konfirmuan shqetësimet, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve, ndërsa pas gjetjeve janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Të dy ministrat thanë se po shqyrtojnë ngritjen e kapaciteteve në raste të tilla, me qëllim që, sipas tyre, institucionet "t’u dalin në ndihmë grave".
Jashtë ndërtesës, mesazhi i ministrave u prit me zemërim. Qytetarët kanë kërkuar vazhdimisht përmes protestave dorëheqjen e të dyve. Një protestuese, e shqetësuar që ministrat nuk e shohin dorëheqjen si mënyrë për të "kontribuuar" në zbardhjen e rastit, iu drejtua atyre ashpër para Qeverisë: "Qysh s’ju vjen turp, a keni pasë gjak shqiptari. Ju sot as dhimbjen nuk e respektoni, jeni t’u bo hajgare me neve. Po na shkojnë vajzat tona, po na shkon rinia? Turpi s’paska kufij a?"
Konferenca erdhi pas një vale pezullimesh në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë në Pejë. Të enjten, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi. KPK njoftoi se ka vendosur të nisë procedura disiplinore ndaj të dyjave dhe se ka themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.
Po atë ditë, bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor, Policia e Kosovës pezulloi ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandantin e Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandantin dhe shefin e Sektorit të Hetimeve, mes të tjerëve. Në listën e të pezulluarve janë edhe katër hetues policorë të stacionit të Pejës.
Rasti konsiderohet si një nga dështimet më të rënda të zinxhirit institucional në Kosovë, nga policia e prokuroria deri te Qendra për Punë Sociale dhe Gjykata e Pejës. Zekaj u vra nga kunati i saj, i identifikuar me inicialet A.S., pasi kishte raportuar në mënyrë të përsëritur dhunë, shantazh dhe kërcënime me vdekje nga ish-bashkëshorti, kunati dhe familjarë të tjerë. Vrasja ndodhi pikërisht natën kur Policia e Kosovës vendosi ta kthente në shtëpinë që e kishte ndërtuar vetë, ku qëndronin kunati, vjehrra dhe persona të tjerë që, sipas raportimeve të saj, e kishin presionuar e shantazhuar vazhdimisht.
Para vdekjes, në një bisedë me motrën, Zekaj kishte kërkuar që familja t’i drejtohej ambasadës amerikane nëse i ndodhte diçka, pasi vite më parë kishte qenë shtetase e Shteteve të Bashkuara. "Motër nuk më lajnë me hi mo në shtëpi, a nuk po e din çfarë shteti osht ky. Nuk ma dhanë, veç çelsin ma dhanë deri qitu me të pru. Qitu unë ko me i thirrë çdo sekond. Edhe nëse më mbytin, këta do të japin përgjegjësi", i kishte thënë ajo.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë, e pyetur për rastin, u përgjigj se "Siguria e qytetarëve amerikanë është prioritet" dhe se Departamenti i Shtetit nuk ka prioritet më të lartë se siguria dhe mbrojtja e tyre. Në shenjë respekti për privatësinë e familjes dhe të të dashurve në këtë periudhë të vështirë, ambasada tha se nuk ka koment të mëtejshëm.
Në ditën e tretë të protestave për vrasjen e Arlinda Zekajt, turma hodhi tymuese para Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkoi largimin e ministres Donika Gërvalla. Ministrja dhe kolegu i saj Xhelal Sveçla pranuan dështimin institucional, por refuzuan të japin dorëheqje.

