Vetëm dhjetë ditë pasi vetë PDK kërkoi tërheqjen e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara, nënkryetari Enver Hoxhaj e cilëson atë hap si "gabim fatal" dhe pret që ligji të rikthehet javën e ardhshme në Kuvend.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) po dëgjohet një zë që e kundërshton hapur vendimin e vetë partisë. Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti Enver Hoxhaj e ka quajtur kërkesën për tërheqjen e ligjit për Dhomat e Specializuara "gabim fatal", të "panevojshme", duke këmbëngulur se partia nuk ka hequr dorë prej tij.
Hoxhaj foli mbrëmë në emisionin Pressing, ndërsa sot PDK ka paralajmëruar një konferencë për media, pa i bërë të ditura temat që do të trajtohen.
"Nuk kemi hequr dorë prej ligjit, as s’e kemi anulu ligjin, as s’e kemi në mendje me hjek dorë prej ligjit. Meqë ne e shohim ligjin si një pozicionim politik për të dalë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Hagë, e shohim edhe si një pozicion moral, meqë për atë ligj kanë dalë në protestë mbi 20 ditë shumë qytetarë, dhe mënojmë që moralisht si PDK duhet edhe më tutje të luftojmë që ky ligj të jetë në fuqi. Dhe së treti e shohim si një pozicionim negociues, si një bazë të cilin ne e përdorim për të negociu dhe për të hyrë me një fazë të re të dialogut me partnerët evropianë. Jam i më së i bindur që javën e ardhshme, ligji do të jetë në komisionin të ligjeve për legjislacion, duhet të ketë një urgjencë për miratimin e tij sa më të shpejtë, dhe mënoj që kërkesa jonë që ky ligj të tërhiqet ka qenë një gabim fatal, e panevojshme, e padomosdoshme", deklaroi Hoxhaj.
Sipas tij, ligji ka për PDK-në tri rrafshe: atë politik, atë moral dhe atë negociues, i fundit si bazë për të hyrë në një "fazë të re të dialogut me partnerët evropianë". Hoxhaj u shpreh "i bindur" se javën e ardhshme ligji do të dërgohet në Komisionin për Legjislacion.
Në të njëjtën linjë, por me ton më të matur, ishte dy ditë më parë edhe ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku. Në një postim në Facebook ajo shkroi: "Krahas hartimit të kësaj strategjie, po vazhdon edhe angazhimi për ligjin që synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve të UÇK-së".
Partia ishte vënë në qendër të debatit publik pas vendimit të befasishëm të marrë rreth dhjetë ditë më parë. Më 22 tetor, PDK kërkoi që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të kthehej në Kuvend për rishqyrtim. Në letrën drejtuar presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, thuhej se qëllimi ishte që ligji të plotësohej dhe të forcohej juridikisht.
Në qëndrimin e PDK-së për këtë kërkesë thuhet: "PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para".
Ndryshimet në ligj u miratuan me nguti në mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit, në të njëjtën seancë ku u zgjodh edhe presidentja e re, pas vështirësive për t'i kaluar ato në fillim të muajit. Ato erdhën pas 21 ditësh protestash kundër aktgjykimit në shkallë të parë për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ndryshimet parashohin ngushtimin e juridiksionit të mandatit të Gjykatës, dënime deri në 15 vjet burgim, zhvillimin e shkallës së Supremes në Kosovë, si dhe mundësinë që të dënuarit të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Në ditën e tretë të protestave për vrasjen e Arlinda Zekajt, turma hodhi tymuese para Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkoi largimin e ministres Donika Gërvalla. Ministrja dhe kolegu i saj Xhelal Sveçla pranuan dështimin institucional, por refuzuan të japin dorëheqje.

