Pa Kuvend funksional dhe me qeverinë të bllokuar, Kosova mbetet edhe një vit në vendnumëro në rrugën drejt BE-së. Drafti i raportit të progresit e rendit mes vendeve që ngelin shumë prapa, ndërsa Mali i Zi është gati të mbyllë negociatat.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Kriza e pambaruar politike dhe mungesa e një Kuvendi funksional e kanë lënë Kosovën pa përparim të prekshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ky është vlerësimi i Komisionit Evropian në draftin e raportit vjetor të progresit, i cili pritet të miratohet dhe të publikohet të mërkurën, më 4 nëntor, së bashku me paketën e zgjerimit.
Në draftin e dokumenteve, të cilin e ka parë KOHA, Kosova renditet në grupin e vendeve që ose nuk kanë shënuar fare progres, ose kanë shënuar kryesisht progres të kufizuar.
Komisioni e lidh ngecjen drejtpërdrejt me situatën politike në vend. Sipas vlerësimit të tij, kriza e vazhdueshme dhe mungesa e një Kuvendi funksional kanë penguar punën e qeverisë, ndërsa në gjyqësor dhe në prokurori është ndier ndikimi i grupeve të interesit.
Raporti sjell megjithatë edhe një risi. Për herë të parë, Komisioni përfshin në vlerësimin për Kosovën përshtatjen e saj me politikën e jashtme të BE-së sipas Kapitullit 31, ashtu siç bën edhe me vendet e tjera në procesin e zgjerimit. Në këtë fushë, Brukseli pritet të përshëndesë faktin se Kosova është përshtatur plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit.
Një pjesë e madhe e dokumentit i kushtohet normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe detyrimeve që burojnë nga dialogu. Komisioni konstaton se, për shkak të proceseve politike në të dyja vendet, zbatimi i këtyre detyrimeve nuk ka ecur siç duhej. Raporti përsërit se normalizimi mbetet kusht si për avancimin e të dyja palëve drejt BE-së, ashtu edhe për zhvillimin e tyre ekonomik, dhe paralajmëron se ngecja ka pasoja.
"Normalizimi nuk është vetëm kërkesë për rrugëtimin evropian. Ai është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të dy shoqërive dhe të rajonit. Mungesa e progresit ka çmim ekonomik dhe rrezikon që të dyja palët të mbeten prapa në kohën kur procesi i zgjerimit ka marrë hov", thuhet në raport.
Në anën tjetër të tabelës qëndron Mali i Zi, i cili ka shënuar progresin më të madh, duke përmbushur pothuajse të gjitha kushtet. Komisioni beson se ky do të jetë raporti i fundit i progresit për Podgoricën, pasi pritet që ajo së shpejti t'i përmbyllë negociatat e anëtarësimit.
Krahas raporteve, Komisioni pritet të miratojë dhe të publikojë edhe një udhërrëfyes me afate kohore për vendet më të avancuara, që t'u hapë rrugën drejt përmbushjes së qëllimit në negociata. Ky udhërrëfyes do të vlejë për katër vende: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Gjashtë vende të tjera ngelin shumë prapa: Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Serbia, Gjeorgjia dhe Turqia. Për tri prej tyre, Serbinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë, vlerësimi i Komisionit është edhe më i ashpër: në disa raste ato kanë shënuar madje kthim prapa.
Vendet e punës, pagat dhe ndihmat sociale që serbët e Kosovës marrin nga Serbia janë në qendër të reagimit të parë të Listës Serbe pas zgjedhjeve në Serbi, të fituara nga Lista Studentore.

