Para vrasjes, Arlinda Zekaj u kishte treguar autoriteteve se ishte kërcënuar me fjalët "Largomu, largomu se të mys". Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se prokurorja përgjegjëse e dinte këtë, por nuk ndërmori veprimet e nevojshme për ta mbrojtur.

"Largomu, largomu se të mys." Me këto fjalë, sipas deklaratës së saj gjatë intervistimit, ishte kërcënuar Arlinda Zekaj para se të vritej. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) tani thotë se prokurorja që trajtonte rastin e saj ishte në dijeni të kërcënimit, por nuk e pa atë si sinjal rreziku.
KPK-ja ka publikuar arsyetimin e vendimit me të cilin suspendoi Arlinda Nallbani-Gacaferrin, zëvendëskryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila njëkohësisht mbante detyrën e koordinatores për dhunën në familje. Sipas vendimit, ajo e dinte se më 22 tetor 2026 ishte shkelur urdhri mbrojtës për Zekajn dhe se në shtëpinë e viktimës po qëndronin persona të tjerë, mes tyre edhe A.S., i dyshuari për vrasjen e saj.
Këshilli thekson se Policia e kishte njoftuar prokuroren për rastin. Megjithatë, sipas vendimit, Nallbani-Gacaferri udhëzoi që A.S. të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, pa e trajtuar kërcënimin e drejtpërdrejtë si rrethanë që kërkonte vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj viktimës.
Vlerësimi i KPK-së është i rëndë: prokurorja, edhe pse ishte e informuar për kërkesat urgjente të Zekajt dhe për rrezikun që i kanosej, nuk ndërmori veprimet e nevojshme prokuroriale për mbrojtjen e saj. Në arsyetim thuhet gjithashtu se ajo nuk i mori parasysh provat dhe faktet gjatë trajtimit të rastit dhe se shkeli detyrimet për profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçe, u vra të dielën, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, A.S. Vrasja u dënua ashpër nga qytetarët dhe institucionet dhe ngjalli kritika të shumta për mënyrën se si u trajtua rasti dhe për dështimin në mbrojtjen e viktimës.
Pasojat institucionale erdhën brenda pak ditësh. Më 29 tetor, KPK-ja suspendoi edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, ndërsa po atë ditë u suspenduan 11 zyrtarë policorë të hierarkisë komanduese në Pejë. Një ditë më pas, më 30 tetor, kryeministri Albin Kurti pranoi dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ndërkohë, rruga nuk është qetësuar. Prej disa ditësh mbahen protesta në qytete të ndryshme të Kosovës. Në Pejë, protestuesit i lyen me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë, në shenjë revolte pas vrasjes. Ata kërkojnë drejtësi për Zekajn dhe përgjegjësi nga institucionet.
Rasti ka hyrë edhe në tryezën e Avokatit të Popullit. Ombudspersoni Naim Qelaj njoftoi se institucioni i tij e ka hapur rastin për hetim. Duke folur në takimin e komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe peticione, ku u diskutua edhe vrasja në Vitomiricë, ai tha se rasti ka treguar se mund të ketë pasur dështime të shtetit në parandalimin e rasteve të tilla.
"Shihni rastin e fundit, ndërhyjnë familjarë që nuk kanë të drejta pronësore dhe vjen te një rast tragjik, natyrisht me dështimin e shtetit, nëse konstatohet që ka pasur dështime, e po shihet se mund të ketë pasur dështime", tha Qelaj. Sipas tij, viktima ishte drejtuar në polici, prokurori, Qendrën për Punë Sociale, te mbrojtësi i viktimave dhe te mekanizma të tjerë, "duke e përfshirë këtu edhe nivelin lokal, pra edhe Komuna e Pejës është e përfshirë".
Qelaj kërkoi që barazia gjinore, dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje të trajtohen si interes nacional, "dhe jo të diskutohet vetëm në nivel të rasteve të izoluara". "Për këtë besoj jemi vonë, por më mirë të fillojmë tash", shtoi ai.
Para deputetëve, Avokati i Popullit ngriti edhe një alarm tjetër. Ai tregoi se institucioni i tij ka pranuar një rast shumë të ndjeshëm nga një komunë e Kosovës, të cilën nuk e emëroi: një grua që kishte kërkuar mbështetje nga komuna, por që u refuzua me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore. "Ne e kemi pasur një paralajmërim prej saj se mund të ketë pasoja çfarë mund të jenë", tha Qelaj, sipas të cilit ky rast mund të përfundojë me pasoja fatale.
Në ditën e tretë të protestave për vrasjen e Arlinda Zekajt, turma hodhi tymuese para Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkoi largimin e ministres Donika Gërvalla. Ministrja dhe kolegu i saj Xhelal Sveçla pranuan dështimin institucional, por refuzuan të japin dorëheqje.

