Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e cilëson qasjen në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan si një investim strategjik për sigurinë energjetike të vendit.

Kosova ndodhet, sipas Odës Ekonomike Amerikane, në një moment vendimtar për të ardhmen e energjetikës së saj — dhe vendimet e muajve në vijim do të përcaktojnë jo vetëm si prodhohet rryma, por edhe sa i sigurt do të jetë furnizimi dhe sa konkurruese do të mbetet ekonomia.
Me këtë mesazh, Oda u ka bërë thirrje bartësve të mandatit të ri institucional që, sapo të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhen institucionet e reja, ta trajtojnë me prioritet përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG). Kjo mundësi, thekson Oda, duhet vlerësuar si investim strategjik në sigurinë energjetike, në konkurrueshmërinë ekonomike dhe në të ardhmen e vendit.
Sipas Odës, debati mbi orientimin energjetik nuk duhet ngushtuar te krahasimi i kostove fillestare apo te opsionet e prezantuara deri tani. Ajo kërkon një vlerësim gjithëpërfshirës që merr parasysh shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësinë e financimit, ndikimin në ekonomi, fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve.
Argumenti kryesor lidhet me gjendjen aktuale të vendit. Kosova vazhdon të mbështetet në kapacitete gjeneruese të vjetruara dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike. "Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit", thuhet në thirrjen e Odës.
Në këtë kontekst, Oda vlerëson se përfshirja në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane meriton vëmendje të veçantë. Ajo do të mundësonte ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese brenda një afati relativisht të shkurtër, do të krijonte bazë për diversifikimin e burimeve të energjisë, do të rriste fleksibilitetin e sistemit dhe do të lehtësonte integrimin e burimeve të ripërtëritshme. Po aq e rëndësishme, sipas Odës, është mundësia e sigurimit të financimit, duke qenë se institucionet financiare ndërkombëtare priren nga projektet e realizueshme dhe të zbatueshme brenda afateve të arsyeshme.
Zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore, thekson Oda, nuk është thjesht çështje prodhimi të rrymës, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe aftësinë e vendit për të tërhequr investime. Për më tepër, kjo agjendë do të ishte në përputhje me orientimin strategjik të Shteteve të Bashkuara, partnerit më të rëndësishëm të Kosovës, dhe me zhvillimet rajonale e evropiane për forcimin e sigurisë energjetike.
"Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se institucionet e reja kanë mundësinë të ndërtojnë një politikë energjetike të bazuar në analiza profesionale dhe interesin afatgjatë të vendit", përfundon thirrja.