Ajo kishte dy urdhra mbrojtës dhe i kishte shkruar kryeprokurores se jeta i ishte në rrezik. Katër ditë pas vrasjes së saj në Vitomiricë, prokuroria dhe policia po pezullojnë zyrtarët që dyshohet se dështuan ta mbrojnë.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Dy urdhra mbrojtës, një letër drejtuar kryeprokurores dhe kërkesa të përsëritura për ndihmë nuk e shpëtuan Arlinda Zekajn. Katër ditë pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës, institucionet e Kosovës kanë pezulluar dy prokurore dhe 11 zyrtarë policorë, ndaj të cilëve janë hapur procedura për veprimet dhe mosveprimet në trajtimin e rastit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, suspendoi kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri. Vendimi erdhi pas kërkesës së kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, i cili kishte rekomanduar jo vetëm suspendimin e tyre, por edhe nisjen e procedurave disiplinore. KPK-ja themeloi gjithashtu një panel hetimor për shqyrtimin e rastit, ndërsa detyrën e kryeprokurores së Pejës e merr përkohësisht Valbona Disha-Haxhosaj, e caktuar ushtruese e detyrës.
Në qendër të dyshimeve ndaj dy prokuroreve është mënyra si u trajtuan thirrjet e viktimës. Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Tri ditë para se të vritej, ajo i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Suspendimi është masë e përkohshme dhe përgjegjësia e secilës do të përcaktohet nga procedurat që sapo kanë nisur.
Pezullimet kanë goditur edhe zinxhirin komandues të Policisë në Pejë. Bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë, ndaj të cilëve po zhvillohet hetim paraprak. Në listë janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale në Drejtorinë Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në po këtë stacion, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë. Sipas Policisë, masat janë marrë në interes të hetimeve të pavarura, të llogaridhënies institucionale dhe të përcaktimit të përgjegjësive individuale.
Gjetjet preliminare të IPK-së tregojnë se problemet nisën shumë kohë para vrasjes. Policia nuk e kishte dokumentuar ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të lëshuar për Zekajn më 7 shtator. Urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, u ekzekutua me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, dhe vetëm pasi ndërhyri IPK-ja, e cila kishte marrë informatë nga vetë viktima. Tri ditë më vonë, ajo ishte e vdekur.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, A.S., i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan. Gjykata ka caktuar ndaj tij një muaj paraburgim.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe ka zhvendosur presionin drejt nivelit më të lartë politik. Raportohet se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, kanë paralajmëruar për sot, më 30 tetor, në orën 09:00, një konferencë të përbashkët për media në Zyrën e Kryeministrit, pas dorëzimit të raporteve për rastin. Kryeministri i ka pranuar tashmë raportet e detajuara të dy ministrive, përmbajtja e të cilave nuk është bërë ende publike.
Në të njëjtën ditë, rruga mbetet e mbushur me protestues. Në Prishtinë, qytetarë dhe aktivistë kërkojnë llogaridhënie dhe dorëheqjen e dy ministrave përgjegjës për drejtësinë dhe punët e brendshme. Në Mitrovicë, një marshim është paralajmëruar të nisë në orën 13:00 nga shtatorja e Isa Boletinit dhe të kalojë para Gjykatës, Qendrës për Punë Sociale (QPS) dhe Policisë, pikërisht institucioneve te të cilat gratë e dhunuara kërkojnë mbrojtje.
Nën moton "Për Arlindën. Për drejtësi. Për të gjitha gratë", organizatorët e protestës kërkojnë dorëheqje, llogaridhënie dhe ndjekje penale për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për dështimet institucionale, të cilat, sipas tyre, çuan në vdekjen e Arlindës dhe të grave të tjera.
Në ditën e tretë të protestave për vrasjen e Arlinda Zekajt, turma hodhi tymuese para Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkoi largimin e ministres Donika Gërvalla. Ministrja dhe kolegu i saj Xhelal Sveçla pranuan dështimin institucional, por refuzuan të japin dorëheqje.

