Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, kanë nënshkruar marrëveshjen që e fut formalisht Kosovën në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Kur do të shkelin trupat në terren, mbetet e paqartë.

Kosova tashmë e ka firmën e vet në dokumentin që e bën pjesë të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) për Gazën. Marrëveshja u nënshkrua të hënën nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, duke formalizuar përfshirjen e vendit në forcën e planifikuar.
Njoftimi erdhi nga Bordi i Paqes, organi i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që presidenti amerikan Donald Trump krijoi për të mbikëqyrur planin e tij për fundin e luftës në Gazë. "Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese nënshkruan Marrëveshjen për Shtetet Pjesëmarrëse, për përfshirjen e Kosovës në ISF", thuhet në postimin e Bordit në rrjetet sociale.
Në deklaratën e tij, Bordi i Paqes e cilësoi hapin si dëshmi të angazhimit të Prishtinës: "Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump".
Vendimin e përshëndeti edhe senatorja amerikane Joni Ernst, që falënderoi Prishtinën se "iu përgjigj thirrjes" dhe se po kontribuon, bashkë me aleatët dhe partnerët, për më shumë siguri dhe stabilitet.
Kosova ishte ndër vendet e para që u zotuan për trupa në kuadër të misionit në Gazë. Dërgimi i FSK-së u miratua nga Kuvendi dhe u autorizua në fillim të vitit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ndërsa në prill një ekip i FSK-së udhëtoi drejt Rripit të Gazës për të vlerësuar terrenin ku pritet të operojnë trupat kosovare.
Deri tani pesë shtete janë zotuar të dërgojnë trupa në ISF: Kosova, Shqipëria, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani. Egjipti dhe Jordania janë zotuar të trajnojnë policinë. Sipas planit 20-pikësh të Trumpit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendoset në Gazë për t'i siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, të trajnojë forcat e reja policore palestineze dhe të mbështesë dërgimin e ndihmave.
Në praktikë, procesi është ndalur. Që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi as Izraeli, as Hamasi, grupi i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja, nuk kanë pranuar t'i përmbushin kushtet që do të mundësonin zbatimin e marrëveshjes. I dërguari i Trumpit dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, zhvilloi në gusht takime të ndara me zyrtarë të Hamasit dhe me udhëheqës izraelitë, por u largua pa përparim, pasi të dyja palët qëndruan të palëkundura në kërkesat e tyre kryesore. Kështu, mbetet e paqartë se kur do të mund të dërgohen trupat e misionit ndërkombëtar.
Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e shkaktuar nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Plani i armëpushimit e ka ulur dhunën, por nuk i ka dhënë fund sulmeve izraelite dhe as nuk ka siguruar çarmatimin e militantëve. Sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës dhe ushtrisë izraelite, që nga arritja e armëpushimit në tetor në Gazë janë vrarë më shumë se 1.200 palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

