Trupi i të dënuarit për gjenocid Ratko Mlladiq u kthye në Beograd me avion qeveritar dhe u prit me nderime shtetërore. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti "kasap", kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, foli për "paradoks te fqinji ynë verior", ndërsa komisionerja e BE-së për Zgjerim anuloi vizitën në Serbi.

Ceremonia e nderimeve shtetërore për Ratko Mlladiqin, të dënuarin për gjenocidin e Srebrenicës, ka nxjerrë Beogradin në një përplasje të hapur me Brukselin dhe me fqinjët e tij. Trupi i pajetë i ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës u kthye më 3 shtator 2026 në kryeqytetin serb me një aeroplan të Qeverisë së Serbisë dhe u prit me nderime të larta shtetërore. Varrimi pritet të bëhet më 7 shtator 2026, në varrezat e Topçiderit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu referua Mlladiqit si "kasapi i Ballkanit", por argumentoi se Serbia nuk duhet izoluar, përkundrazi, duhet mbajtur në tryezën europiane, ku mund t'i kërkohet llogari dhe ku standardet i bëhen të qarta.
"E di që Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Por çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t'i thuash: 'S'mund të bësh funeral shtetëror për një kasap', apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë krejt skizofrenike mes Evropës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?", u shpreh Rama.
Deklaratat i bëri të shtunën, më 5 shtator 2026, në Cernobbio të Italisë, ku mori pjesë në forumin "Intelligence on the World, Europe and Italy", në panelin "Agjenda për Evropën". Duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ai tha se vendet kandidate duhet të afrohen gradualisht me strukturat europiane dhe të jenë pjesë e tryezës, ndërsa përmbushin kriteret dhe përballen me kërkesat politike të vendeve anëtare.
Nga Prishtina, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e lidhi ceremoninë me vetë figurën e presidentit serb. "Ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si 'Sarajevo Safari', Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mlladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë", deklaroi Kurti.
Ai përkujtoi se vetëm një javë pas masakrës së Srebrenicës, Mlladiqi kishte thënë se për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë boshnjakë. Sipas Kurtit, kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime.
Reagimi ka kaluar edhe në institucionet europiane. Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, Michael O'Flaherty, e cilësoi glorifikimin publik të Mlladiqit si të paligjshëm dhe fyes për viktimat, duke theksuar se ai përbën vepër penale sipas ligjit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe nuk mbrohet si liri e shprehjes nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. "E urrej glorifikimin publik të Ratko Mlladiqit, një krimineli të vdekur lufte, i dënuar për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë deklaratat e zyrtarëve në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi", deklaroi O'Flaherty.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, shkoi më tej dhe anuloi vizitën e planifikuar në Serbi pas kthimit të trupit në Beograd dhe glorifikimit që pasoi. "Kthimi i mbetjeve të tij në Beograd i rikujton Europës faqet më të errëta të historisë sonë të kohëve të fundit", tha Kos, sipas së cilës nderimi i Mlladiqit pas vdekjes është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Mlladiqi, i njohur si "Kasapi i Bosnjës", vdiq më 27 gusht 2026 në Hagë, në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm. Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) e shpalli fajtor në vitin 2017, mbi 20 vjet pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë, për një akuzë për gjenocid, pesë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte gjatë luftës në Bosnje të viteve 1992-1995.
Gjykata e gjeti atë fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995, mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

