Presidenti i Serbisë ka reaguar ndaj dy krerëve më të lartë të Bashkimit Evropian, që i quajtën "shokuese" pamjet e varrimit me nderime të Ratko Mlladiqit në Beograd. Vuçiqi thotë se ka respekt për ta, por vë në pikëpyetje të drejtën e Brukselit të përcaktojë kush shkon në një funeral.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kundërpërgjigjur publikisht Brukselit pas kritikave për varrimin me nderime të Ratko Mlladiqit, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në një prononcim për transmetuesin serb "RTS", Vuçiqi u shpreh se nuk ka asnjë problem personal me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilët i quajtën "shokuese" pamjet nga kryeqyteti serb.
"Për këta dy persona nuk kam asgjë të keqe për të thënë. Ata kanë qenë gjithmonë në anën e Serbisë dhe do të respektoj çfarëdo që ata të thonë apo të bëjnë, ndaj meje apo ndaj kujtdo tjetër që është në pushtet në Serbi. Ata janë sjellë në mënyrë korrekte ndaj vendit tonë", deklaroi presidenti serb.
Megjithatë, ai e cilësoi deklaratën e dy zyrtarëve të lartë evropianë si të hartuar me kujdes dhe u ndal pikërisht në pjesën për praninë e zyrtarëve në ceremoni. "Unë do të veçoja prej saj diçka që nuk e kuptoj plotësisht. Si mendoni t'u përcaktoni njerëzve se kush mund të shkojë në funeral dhe kush jo, e pastaj të tronditeni nga pamjet nga Beogradi? Dhe në deklaratë thoni se kjo ndodh për shkak se dikush i glorifikon njerëzit si heronj", tha Vuçiqi.
Mlladiqi, i njohur si "Kasapi i Ballkanit", u varros të hënën në Beograd me nderime, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian që një person i dënuar për gjenocid të mos glorifikohet. Ai vdiq në fund të muajit të kaluar në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid.
Reagimi i Brukselit erdhi në postime me përmbajtje identike nga von der Leyen dhe Costa. "Pamjet nga funerali i Ratko Mlladiqit dje në Beograd ishin shokuese. Ratko Mlladiqi ishte i dënuar për krime lufte. Ai ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera. Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve serbë në varrim janë për keqardhje të thellë. Ky është një dështim për t'u përballur me një kapitull të errët të historisë së re evropiane dhe është kundër vlerave që çojnë Serbinë drejt BE-së", shkruajnë dy krerët e institucioneve kryesore të BE-së.
Në të njëjtat prononcime, ata shtuan: "Kujtimet tona sot janë me viktimat e krimeve të kryera në hapësirën e ish-Jugosllavisë".
Vuçiqi e zgjeroi më tej reagimin drejt çështjeve të sigurisë, duke theksuar se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për fuqinë e saj dhe "për raportin e madhësisë së Serbisë me Evropën". Sipas tij, vendi do të vazhdojë ta ruajë paqen dhe stabilitetin, të përparojë dhe ta forcojë ushtrinë e saj.
"Ata kanë krijuar aleanca ushtarake! Kroacia, Prishtina dhe Tirana, jo ne! Dhe tani thonë: Serbia po armatoset? Jo, ne do të shikojmë që të na shkelni dhe të kryeni agresion ndaj vendit tonë", deklaroi presidenti serb.
Ceremonia e varrimit dhe nderimet zyrtare kanë rihapur kështu një përplasje të drejtpërdrejtë mes Beogradit dhe Brukselit mbi trajtimin e trashëgimisë së luftës, në një moment kur BE-ja e lidh hapur çështjen me vlerat e rrugës evropiane të Serbisë.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

