Brenda vetëm një dite, policia në Maqedoninë e Veriut ka ndaluar 22 shoferë për drejtim të pakujdesshëm. Për të gjithë do të ngrihen kallëzime penale.

Njëzet e dy shoferë përfunduan në pranga brenda 24 orëve në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, të gjithë të akuzuar për "drejtim të pakujdesshëm të automjetit". Bilancin e bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, që paralajmëroi kallëzime penale për secilin prej tyre.
Pjesa më e madhe e rasteve lidhet me shoferë pa patentë. Sipas MPB-së, 13 persona u kapën duke drejtuar automjet pa lejen e nevojshme: katër në Shkup, katër në Manastir, dy në Vinicë, si dhe nga një në Kumanovë, Kavadar dhe Tetovë. Njëri prej tyre, përveçse pa patentë, ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.
Alkooli mbetet shkaku tjetër i përsëritur. Nën ndikimin e tij u ndaluan dy shoferë në Shkup dhe dy të tjerë në Kriva Pallankë, ndërsa nga një rast u regjistrua në Veles, Kumanovë, Shtip dhe Strumicë. Një shofer nga Shkupi u ndalua sepse drejtonte një automjet të paregjistruar.
Të gjitha rastet po dokumentohen dhe, pas përfundimit të procedurës, ndaj shoferëve do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
MPB-ja u bëri thirrje pjesëmarrësve në komunikacion t'i respektojnë rregullat, të mos ngasin pa patentë, të mos drejtojnë kur kanë masë ndalese apo kur janë nën ndikimin e alkoolit, duke theksuar se siguria në rrugë varet nga sjellja e secilit.