Komisionarja europiane për zgjerim, Marta Kos, e quajti "thellësisht shqetësuese" glorifikimin e Ratko Mlladiçit në Serbi dhe shpjegoi pse tërhoqi vizitën e planifikuar në Beograd, duke përmendur pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë në varrimin e të dënuarit për gjenocid.

Varrimi i Ratko Mlladiçit në Beograd u shndërrua në një krizë politike me Brukselin. Komisionarja europiane për zgjerim, Marta Kos, deklaroi se i dënuari për krime lufte Ratko Mlladiç përfaqëson një prej faqeve më të errëta të historisë së afërt europiane dhe konfirmoi se pikërisht për shkak të lavdërimit të tij ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi.
Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, Kos u shpreh: "Ajo që ndodhi në Serbi është thellësisht shqetësuese. Ratko Mlladiçi ishte një kriminel lufte i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai përfaqëson një prej faqeve më të errëta të historisë së afërt europiane. Glorifikimi që rrethoi vdekjen e tij dhe shenjat e mbështetjes zyrtare, si edhe fakti që zyrtarë të lartë ishin të pranishëm në varrim, është e papranueshme dhe nuk përfaqëson vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian (BE). Për këtë arsye vendosa që, si politikane dhe si person që u rrit në territorin e ish-Jugosllavisë, nuk mund të shkoj në Beograd. A mund të imagjinoni si do të mund të shikoja ndonjëherë në sy Nënat e Srebrenicës, që kanë humbur shumë anëtarë të familjes. I kam takuar shumë herë, kemi diskutuar, kam mësuar shumë prej tyre, ato kanë vuajtur më shumë, por ato janë simbol i pajtimit. Ato më kanë thënë 'nuk do të harrojmë kurrë, por mund të falim'. Kështu që të gjithë duhet të punojmë bashkë dhe kjo është ajo që pres nga Serbia, veçanërisht sepse është një shtet kandidat për anëtarësim në BE."
E pyetur se çfarë duhet të bëjë Serbia për t'i rregulluar marrëdhëniet dhe për të bërë të mundur një vizitë të saj, komisionarja europiane vuri në dukje se Serbia do të mbajë zgjedhje parlamentare në vjeshtë.
"Duhet të ulemi dhe të diskutojmë si do të vazhdojmë me rrugën europiane të Serbisë. Rruga drejt BE-së kërkon vërtet ballafaqim me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës. Kjo është ajo që pres. Më tej, presim gjithashtu nga Serbia një hap të qartë dhe të vendosur në rrugën europiane. Nëse një shtet dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, kjo nuk është vetëm përafrim me legjislacionin tonë. Është shumë më tepër. Bëhet fjalë për vlerat tona, orientimin strategjik dhe, natyrisht, kjo është edhe një pjesë e rëndësishme e pajtimit", theksoi Kos.
Ajo tërheq një paralele me pasluftën europiane, duke kujtuar edhe përvojën e vet personale në ish-Jugosllavi. "Kam lindur dhe u rrita atje, kam jetuar atje 25 vjet në paqe dhe nuk besoja se krimet e luftës të kryera në luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë ishin të mundshme. Por kjo ndodhi. Kështu që duhet të kujdesemi për pajtimin dhe mendoj se atje është edhe përgjegjësia e udhëheqjes në Serbi që t'i shërojë plagët e së kaluarës dhe të mos hedhë sërish kripë mbi to, që të mos shërohen kurrë. Kemi një shembull shumë të mirë se çfarë ndodhi në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, që përfundoi në vitin 1945, Franca dhe Gjermania, armiqtë e mëdhenj në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, filluan procesin e pajtimit. Ato hapën rrugën për themelimin e një bashkësie europiane shumë të rëndësishme, Bashkimit Europian", deklaroi ajo.
Mlladiçi, komandant i njëhershëm i Ushtrisë së Republikës Serbe, i cili vdiq në Hagë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte, u varros një ditë më parë në varrezat e Topçiderit në Beograd. Ai vdiq më 27 gusht, në vitin e 84-t të jetës, në spitalin e burgut në Hagë.
Në vitin 2017, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e dënoi me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë të viteve 1992-1995. Përveç Mlladiçit, me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë është dënuar edhe ish-presidenti i Republikës Serbe, Radovan Karagjiçi, ndërsa janë shqiptuar edhe tri dënime të tjera të përjetshme.
Gjykimi ndaj Mlladiçit filloi më 16 maj 2012, ndërsa paraqitja e provave zgjati më shumë se katër vjet. Trupi gjykues zhvilloi seanca gjatë 530 ditësh gjyqi, u paraqitën dëshmitë e 592 dëshmitarëve dhe gati 10.000 objekte provuese.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

