Në ditën kur Ukraina shënon 35 vjet nga shpallja e pavarësisë, Kievi pret mbledhjen e "koalicionit të vullnetarëve" dhe kërkon më shumë mbrojtje ajrore, ndërsa dy fëmijë u vranë nga rrëzimi i mbeturinave të dronëve ukrainas në Krasnodar të Rusisë.

Në Kiev mblidhen të hënën mbështetësit kryesorë evropianë të Ukrainës, pikërisht në ditën e 35-vjetorit të shpalljes së pavarësisë ukrainase, të 24 gushtit 1991. Takimi i shteteve anëtare të të ashtuquajturit "koalicion i vullnetarëve" bashkëkryesohet nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, me pjesëmarrjen e pritur të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa. Disa udhëheqës të tjerë pritet të kyçen në distancë.
Në tryezë, Ukraina vendos dy kërkesa: pajisje të mbrojtjes antiajrore, që i mungojnë rëndë, dhe presion më të fortë ndaj Moskës. Mbledhja zhvillohet saktësisht katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës, më 24 shkurt 2022, në një fazë të intensifikimit të sulmeve, në të cilën numri i viktimave civile nga sulmet ruse nuk ka qenë kurrë kaq i lartë.
Ndërkohë, nata para takimit u shënua nga një sulm i dronëve ukrainas në jug të Rusisë, me pasoja për fëmijët. "Mbeturina dronësh ranë mbi një qendër pritjeje për fëmijë në Krasnodar. Fatkeqësisht, dy fëmijë humbën jetën", njoftoi në Telegram guvernatori rajonal, Veniamin Kondratiev. Sipas tij, shtatë fëmijë të tjerë dhe dy të rritur mbetën të plagosur, ndërsa një zjarr shpërtheu në një depo aty pranë.
Giganti rus i tregtisë elektronike Ozon konfirmoi se një nga depot e tij në Krasnodar u godit. Kompania njoftoi se nuk ka viktima mes personelit, i cili u evakuua shpejt, por se u shkaktua një zjarr i madh. Është dita e tretë radhazi që kjo platformë sulmohet, në kuadër të fushatës ukrainase kundër infrastrukturës logjistike ruse.
Prej muajsh Kievi godet edhe depot e Wildberries, kompanisë më të madhe të tregtisë online në Rusi, me argumentin se ajo furnizon me komponentë ushtrinë ruse. Këto objekte mbrohen shumë më pak se objektivat ushtarake dhe goditjet kanë shkaktuar dëme të llogaritura në miliarda dollarë, me disa qendra të shkatërruara plotësisht nga flakët.
Nga Londra vjen njoftimi më konkret i ditës. Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, udhëton të hënën për në Kiev, në vizitën e tij të parë ndërkombëtare që nga marrja e detyrës në fund të korrikut. Sipas Downing Street, ai "duhet të njoftojë se qeveria ka dhënë pëlqimin që kompania e mbrojtjes MBDA [prodhues raketash] të ndajë informacione të klasifikuara për komponentët britanikë të raketës me rreze të gjatë veprimi Scalp". Kjo raketë lundruese është versioni francez i Storm Shadow britanik, të dyja të mbështetura në një teknologji të përbashkët franko-britanike. Vendimi, sipas Downing Street, "do t'u mundësojë francezëve dhe ukrainasve të çojnë përpara montimin e kësaj rakete në Ukrainë".
Në Kiev, Burnham do të bashkëkryesojë mbledhjen e tij të parë të koalicionit të vullnetarëve. "Në këtë 35-vjetor të pavarësisë së Ukrainës, populli ukrainas nuk duhet të ketë asnjë dyshim: Mbretëria e Bashkuar është pranë jush sot dhe do të mbetet aq gjatë sa të jetë e nevojshme", u shpreh ai në komunikatën e Downing Street.
Udhëtimi vjen pak javë pas vizitës së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në Londër, kur Burnham njoftoi ndarjen me Ukrainën të pronësisë intelektuale të një sistemi britanik bllokues, i destinuar të mashtrojë mbrojtjet ajrore ruse. Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar ka mobilizuar rreth 25 miliardë funte (29 miliardë euro), nga të cilat 16 miliardë në ndihmë ushtarake.
Një ditë para mbledhjes, dy sulme ruse me dronë goditën një fabrikë të grupit ushqimor amerikan Mondelēz International në Trostianec, në rajonin e Sumit, duke lënë pesë të plagosur mes personelit, sipas ministrit ukrainas të Punëve të Jashtme dhe prokurorisë rajonale. Fabrika prodhon ndër të tjera produkte të markave Oreo, Milka dhe Toblerone dhe ishte goditur edhe në shkurt e në qershor.
Shefi i diplomacisë ukrainase, Andrij Sibiha, i cilësoi në rrjetet sociale këto sulme "sistematike dhe të qëllimshme kundër interesave ekonomike amerikane në Evropë", duke kërkuar forcimin e mbrojtjes antiajrore dhe miratimin e sanksioneve të reja ndaj Moskës.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

