Policia e Krujës zbuloi një parcelë të fshehur në një zonë pyjore, ku dyshohet se dy persona kishin ngritur kultivimin e drogës. Njëri përfundoi në pranga, tjetri po kërkohet.

Në thellësi të një zone pyjore të fshatit Mukaj, larg syve, dyshohet se ishin mbjellë 42 bimë kanabisi. Policia e Krujës i gjeti dhe i asgjësoi ato gjatë operacionit të koduar "Mukja", duke goditur një rast të dyshuar kultivimi të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në terren, blutë sekuestruan edhe rreth 600 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, të gjetura pikërisht në vendin ku, sipas dyshimeve, po kultivoheshin bimët.
Në pranga u vu në flagrancë një 31-vjeçar me inicialet N. Z., banues në fshatin Mukaj. I dyshuar si bashkëpunëtor i tij, një 43-vjeçar me inicialet J. M. është shpallur në kërkim, ndërsa autoritetet vijojnë punën për kapjen e tij.
Sipas hetimeve të kryera nga specialistët e Komisariatit të Policisë së Krujës, të dy personat dyshohet se kishin ngritur kultivimin e bimëve narkotike në zonën pyjore të fshatit, duke shfrytëzuar terrenin për ta mbajtur veprimtarinë të fshehur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike". Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave dhe për kapjen e personit të shpallur në kërkim.