Një 29-vjeçar nga Mati, i akuzuar se ndihmoi në përgatitjen e një vrasjeje si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, u kthye në Shqipëri nga Frankfurti. Ai i ishte shmangur arrestit në burg që Gjykata e Posaçme i kishte caktuar që në maj 2024.

Pas gati dy vitesh në kërkim ndërkombëtar, shtetasi A. Gj., 29 vjeç, u dorëzua në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Specialistët e Interpol Tiranës e morën në Frankfurt dhe e ekstraduan drejt vendit, në kuadër të një faze të re të operacionit "The Wanted", njoftoi Policia e Shtetit.
I lindur dhe banues në Mat, A. Gj. ishte në shënjestër të drejtësisë shqiptare që nga maji i vitit 2024. Atëherë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i caktoi masën e sigurisë arrest në burg, por i dyshuari nuk u gjet dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Akuzat ndaj tij janë të rënda. Sipas policisë, ai dyshohet për sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formën e veçantë të bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale grupi i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Gjurmët e tij çuan në Gjermani. Bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden bëri të mundur arrestimin e tij në territorin gjerman, ndërsa më pas pasoi procedura e ekstradimit. Policia nuk ka bërë të ditur se kur u arrestua dhe kur u kthye në Shqipëri.
Tani i dyshuari pritet të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat që ngarkohen ndaj tij, të cilat mbeten për t'u provuar në gjykatë.
Dokumenti që çoi kryebashkiakun Erion Veliaj drejt burgut të Fierit nuk do të bëhet publik. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka klasifikuar si "sekret shtetëror" dhe e cilëson transferimin si "procedurë standarde".

