Pas ceremonisë me nderime shtetërore e ushtarake për Ratko Mlladiqin në Beograd, Komisioni Evropian pranon publikisht se po "shqyrton mundësitë" për hapa ndaj Serbisë, ndërsa hapja e Klasterit 3 të negociatave është vënë në akull.

Reagimi i Brukselit ndaj varrimit të Ratko Mlladiqit ka kaluar nga dënimi verbal te paralajmërimi për pasoja konkrete. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, e pyetur nga gazetarët nëse Serbia mund të përballet me pasoja për mënyrën se si u zhvillua ceremonia për ish-komandantin e Ushtrisë së Republika Srpskas, u përgjigj shkurt: "Sa i përket pyetjes suaj për hapat e ardhshëm, ne po shqyrtojmë mundësitë".
Pinho i cilësoi pamjet nga ceremonia si "tronditëse". Sipas saj, niveli i mbështetjes zyrtare, përfshirë pjesëmarrjen e ministrave dhe të ushtrisë, tregon dështimin për t'u përballur me një kapitull të errët të historisë së afërt evropiane dhe bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian. Ajo rikujtoi se BE-ja e ka bërë tashmë të qartë se "çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE apo në shtetet kandidate për anëtarësim". Për një kontakt zyrtar të liderëve kroatë me Komisionin lidhur me këtë çështje, zëdhënësja tha se nuk ishte e informuar, duke theksuar se institucionet evropiane nuk kanë pritur reagime të tjera për të shprehur qëndrimin e tyre.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, pas glorifikimit që i është bërë në Serbi figurës së Mlladiqit dhe organizimit shtetëror të ceremonisë së varrosjes. "Lavdërimi publik që i bëhet një krimineli lufte të dënuar në Beograd është një fyerje ndaj kujtimit të viktimave, familjeve të tyre dhe të gjithë atyre që vuajtën gjatë konflikteve në Ballkanin Perëndimor.
Pajtimi i vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin, mohimin e gjenocidit apo nderimin e autorëve të krimeve.
Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian kërkon një angazhim të qartë ndaj vlerave themelore evropiane dhe të vërtetës historike.
Nuk ka vend në Evropë për lavdinë e kriminelëve të luftës", ka shkruar Kallas.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, i kishin dënuar të martën, në një deklaratë të përbashkët, pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e ish-gjeneralit serb në Beograd, duke i quajtur pamjet nga ceremonia "shokuese". "Ratko Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit", thuhet në deklaratë, e cila shton se "Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral janë thellësisht për t'u ardhur keq".
Mlladiq, i njohur si "Kasapi i Bosnjës", vdiq në fund të gushtit në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm në një qendër paraburgimi të OKB-së në Hagë. Trupi i tij u transportua drejt Beogradit me një avion të Qeverisë së Serbisë. Në ceremoni u përdorën nderime ushtarake, në rreshtat e parë u panë disa ministra të Qeverisë serbe, ndërsa ai u varros i mbështjellë me flamurin serb, me ceremoninë e përcjellë edhe nga transmetuesi publik serb dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Pasojat po ndihen menjëherë në procesin e integrimit. Një diplomat i BE-së i tha Euronews se, pas glorifikimit të Mlladiqit, hapja e Klasterit 3 të negociatave për anëtarësim është "plotësisht jashtë diskutimit për momentin". Në korrik, Komisioni Evropian kishte tentuar ta rikthente në tryezë hapjen e këtij klasteri, por tetë shtete anëtare e bllokuan hapin, duke përmendur shqetësimet për sundimin e ligjit dhe mosrespektimin nga Serbia të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi.
Varrimi me nderime ushtarake ka shkaktuar reagime të forta edhe në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë. Sipas gazetarit të "Frankfurter Allgemeine Zeitung", Michael Martens, në Bruksel po flitet gjithnjë e më hapur për ndalimin e plotë të negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe për pezullimin e fondeve të paraanëtarësimit. Nëse do të ndodhte kjo, Serbia do të gjendej në një situatë të ngjashme me atë të Turqisë, e cila formalisht mbetet ende vend kandidat për anëtarësim në BE.
Sa i përket vizitës së von der Leyen në Ballkanin Perëndimor, Pinho tha se planet janë ende në përgatitje dhe se aktualisht nuk ka informacion nëse Serbia do të jetë pjesë e agjendës. Ndërkohë, në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen në fund të tetorit.
Një pallat nëntëkatësh në Kiev u përfshi nga flakët të premten pas bombardimeve ruse, ndërsa dronët ukrainas kanë vënë në shënjestër rafinerinë e Saratovit. Moska po detyrohet të importojë karburant, edhe nga nafta e vet e rafinuar jashtë vendit.

